Zëvendës ndihmës sekretari i shtetit Alexander Arvizu
Shkup, Maqedoni 29 shtator 2016
Faleminderit për mundësinë që të përfaqësoj kolegët e mi të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara këtu, përfshirë edhe Agjensinë për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), e cila ka qenë e rëndësishme në organizimin e kësaj konference. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Maqedoni, Jess Baily, nuk kishte mundësi të na bashkangjitet, andaj për mua është privilegj të përcjell dëshirat e tij për një takim të suksesshëm dhe produktiv.
Ju keni qenë të përzgjedhur të jeni pjesë e këtij programi për një arsye të thjeshtë: ne besojmë që secili prej jush mund të bëjë ndryshim pozitiv në ardhmërinë e këtij vendi, në Evropën Juglindore, dhe në botë.
Ne kemi investuar në ju, dhe në këtë konferencë sepse besojmë që aftësia juaj udhëheqëse dhe angazhimi juaj do të bëjnë këtë rajon më përparimtar, më të lirë dhe më të sigurtë. Më tepër shkëmbim të njerëzve dhe ideve; më tepër tregti; zhvillim të më tepër vlerave të përbashkëta të bazuara në historitë dhe trashëgimitë unike të secilit prej shteteve i bën këtë rajon dhe Amerikën vende më të mira për qytetarët tanë, dhe na afron.
Në vendin tim, një nga thëniet që daton nga shpallja e pavarësisë sonë thotë “çmimi i lirisë është vigjilenca e përjetshme.” Kjo është në veçanti e saktë kur bëhet fjalë për luftën kundër përhapjes së korrupsionit. Si ish ambasador në këtë rajon, e di, ashtu si edhe ju, që korrupsion ekziston këtu, në këtë vend, në këtë rajon, dhe në botë, përfshi edhe në Shtetet e Bashkuara. Fakt është që gjithmonë do të jetë prezent deri në një shkallë. Megjithatë, ne nuk mund të pajtohemi me atë.
Ne nuk mund të lejojmë të merr kontroll mbi shtetin, të dëmtojë besimin që qytetarët kanë në qeverinë dhe në institucionet e saj, apo të zëvendësojë sundimin e ligjit. Kur ndodh kjo, korrupsioni dëmton, dobëson, dhe në fund shkatërron themelet në të cilat qëndron demokracia. Ai gjymton qeverisjen efektive dhe të përgjegjshme, të nevojshme për lulëzimin e lirisë. Korrupsioni hap rrugët për kriminelët, ekstremistët e dhunshëm, dhe terroristët. Kemi parë këtë të ndodh vazhdimisht, përfshirë në vende jo shumë larg nga këtu.
Për këtë arsye, sekretari i shtetit Kerry ka shpallur luftën kundër korrupsionit prioritet për sigurinë kombëtare, dhe ka ftuar të gjitha qeveritë të bëjnë të njëjtën. Edhe korrupsioni që në pamje është më pak i ligë , e që nuk shkatërron shtetin, do ta shtrembërojë atë. Është një tatim që paguajnë të gjithë qytetarët – edhe pse më tepër dëmton të dobëtit, të varfërit dhe më të ndjeshmit. I bën komunitetet më pak kompetitive, më pak të sigurta, dhe më pak të lira.
Siç ka thënë edhe sekretari i shtetit Kerry, “nuk ka gjë më demoralizuese, më destruktive, dhe më shfuqizuese për një qytetar sesa bindja se sistemi është i manipuluar kundër tyre.” Për këtë arsye, lufta kundër korrupsionit duhet të jetë e vazhdueshme, e fuqishme dhe e mbështetur edhe nga liderët edhe nga qytetarët e shqetësuar. Ne duhet të shfrytëzojmë të gjitha resurset në dispozicion për t’u përballur me të: përmes ligjeve dhe zbatimit të tyre; me teknologji dhe mjete që rrisin transparencën dhe përgjegjësinë; dhe në zbatimin e standardeve formale dhe joformale që vendosin nivele të ulta të tolerancës për korrupsionin zyrtar dhe jozyrtar. Kjo punë, nga shteti dhe shoqëria civile – mund të jetë e lodhshme, dhe mund të jetë frustruese. Gjithashtu mund të duket sikur progresi është i vështirë dhe suksesi asnjëherë nuk është afër.
Megjithatë, përpjekjet janë absolutisht të nevojshme: janë të nevojshme sepse shumë gjëra varen jo vetëm nga fitoret, por nga vet lufta. Kjo sepse kur qytetarët presin korrupsion nga zyrtarët publik, apo kur ai përhapet në sektorin privat, atëherë ndikon pothuajse çdo gjë, nga mbledhja e taksave, deri te standardet e shëndetësisë e të sigurisë, deri te legjitimiteti i qeverive, gjykatave, ushtrisë dhe zbatimit të ligjit. Në Maqedoni ju keni njohur rëndësinë e përgjegjësisë dhe hetimit të pavarur ndaj akuzave për korrupsion.
Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar mbështesin vendimin e katër partive më të mëdha politike për themelimin e Prokurorisë Speciale, që ka për qëllim rishikimin e pohimeve për keqpërdorim të detyrës. Aftësia e Prokurorisë Speciale që në mënyrë të pavarur dhe të tërësishme të hetojë dhe të përndjek raste të korrupsionit, paraqet një hap të rëndësishëm para për Maqedoninë, dhe vërtetim për popullatën e vendit që qeveria duhet të mban përgjedjësi para popullit.
Ne ftojmë të gjitha partitë politike të vazhdojnë të mbështesin punën e papenguar të Prokurorisë Speciale. Bashkëpunimi ndërkombëtar luan rol të rëndësishëm në luftimin e korrupsionit, dhe çdo shtet mund të mësojë nga përvojat më të mira të shteteve tjera. Ne duhet vazhdimisht të jemi vigjilentë, gjithnjë të kërkojmë të zhvillohemi dhe të përshtatemi ndaj formave të reja të korrupsionit. Ligjet dhe rregulloret e etikës në Shtetet e Bashkuara janë zhvilluar në bazë të formave dhe praktikave të reja të identifikuara të korrupsionit, që përdoren nga kriminelët në vendin tonë dhe nga organizatat kriminele transnacionale që operojnë mbarë botës.
Maqedonia duhet të fitojë vendin e vet në Evropë dhe në botë duke plotësuar normat rajonale dhe ndërkombëtare të transparencës dhe përmes zbatimit të standardeve. Kur një vend fiton reputacion për korrupsion, atëherë tërheq dhe inkurajon aktorë të këqinj dhe kriminelë, duke shtyrë jashtë investimet dhe angazhimet legjitime, e si pasojë duke rritur shpenzimet për biznes dhe zvogëlim të aftësisë konkurruese.
Të pasurit e një regjimi efektiv kundër korrupsionit, është si të keni dezinfektues që rrit besimin e bizneseve dhe qytetarëve, si atyre të vendit ashtu edhe partnerëve ndërkombëtar në Shtetet e Bashkuara, në Unionin Evropian dhe mbarë botës. E keni të njohur që këto janë sfida të jashtëzakonshme, por gjithashtu duhet të dini që në këtë betejë nuk jeni vetëm. Sponsorët e kësaj konference; folësit që do t’i dëgjoni gjatë këtyre dy ditëve; organizatat joqeveritare dhe të shoqërisë civile; dhe qeveritë që kanë vendosur këtë prioritet, do t’ju mbështesin në përpjekjet tuaja. Shfrytëzoni mundësinë për t’u takuar me sa më shumë prej tyre në këtë konferencë. Një nga ato qeveri që kanë bërë luftën kundër korrupsionit prioritet është qeveria e Shteteve të Bashkuara.
Presidenti Obama ka theksuar këtë në takimet e niveleve të larta në G7, G20, në Kombet e Bashkuara dhe në samite. Megjithatë, sipas mendimit tim, ajo që ne bëjmë, në raportet bilaterale dhe në bashkëpunim me të tjerët, në ato takime është që ne thjeshtë rregullojmë tavolinën për ju: sepse jeni ju ata që ndërmerrni të gjitha aktivitetet këtu. Ju do të vendosni tonin. Ju do të vendoni në lëvizje politikat, ligjet, hulumtimet, ju përcaktoni pritjet dhe nivelin e tolerancës për korrupsion në komunitetet tuaja.
Pa ju, shpalljet e presidentëve dhe të kryeministrave kanë pak rëndësi. Me ju, rrjedha e jetës dhe prosperiteti i popujve tuaj dhe vendi i tyre në këtë botë mund të ndryshojë për të mirë. Ju jeni këtu sepse dëshironi të punoni me ne për të reduktuar korrupsionin, dhe në emër të qeverisë sime, dëshiroj t’ju faleminderoj për punën që po bëni dhe që na keni dhënë mundësinë të jemi partnerët tuaj në këtë punë të rëndësishme.