Ukraina, një vend i sulmuar nga Rusia prej vitit 2014, tashmë i ka qëndruar gjashtë muajve bombardimesh masive, rrethime qytetesh dhe mizori kundër popullit të saj. Ukraina po Lufton për të mbrojtur jo vetëm demokracinë e saj, por vetë mbijetesën si vend i pavarur.
24 gushti shënon 31-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës. Për fat të keq, kjo ditë shënon edhe gjashtë muaj që prej pushtimit të paprovokuar, të plotë të Ukrainës nga Rusia, një sulm kaq shokues për bashkësinë ndërkombëtare sa që u dënua tërësisht nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe nxiti dy vende të reja të kërkonin anëtarësim në Aleancën e NATO-s.
Duhet të mbetemi të bashkuar në mbështetjen tonë për sovranitetin, demokracinë dhe aspiratat europiane të Ukrainës.
Të gjithë i kemi parë imazhet e pasojave të bombave ruse që godasin civilë të strehuar në shkolla, teatro e spitale. Mediat e pavarura dhe organizatat humanitare kanë dokumentuar ekzekutime në qytete si Bucha dhe Irpin, tortura të personelit në uniformë dhe civil, si dhe qytete të tëra si Mariupoli të shkëputura nga nevojat më bazë ndërkohë që përballen me rrënimin dhe pushtimin brutal.
Qëndrueshmëria dhe këmbëngulja e popullit të Ukrainës kanë frymëzuar botën për të mbështetur luftën e tyre për liri. Forcat e armatosura të Ukrainës kanë luftuar me guxim për të mbrojtur vlerat e dashura për të gjithë ne.
Teksa sanksionet vazhdojnë të degradojnë aftësitë e Putinit për luftë, forcat ukrainase po mbrojnë me sukses vendin e tyre dhe populli ukrainas është më i bashkuar se kurrë.
Shtetet e Bashkuara kanë përkushtuar afro 10 miliardë dollarë asistencë sigurie që kur Rusia filloi luftën e saj të paramenduar, të paprovokuar dhe brutale kundër Ukrainës më 24 shkurt. Maqedonia e Veriut është dëshmuar si një partner i palëkundur, duke e përafruar plotësisht veten me sanksionet e vendosura nga BE dhe duke ofruar ndihmë në disproporcion me madhësinë e saj.
Shoqëria civile ukrainase ka zgjeruar përpjekjet e saj për përgjigje humanitare, duke organizuar ndihma dhe rindërtuar komunitete. Punonjësit e ndihmës, shumica e të cilëve janë ukrainas, funksionojnë në të gjitha 24 rajonet, duke arritur afro 12 milionë njerëz me ndihma. Shtetet e Bashkuara janë krenare t’i mbështesin përpjekjet e tyre me mbi 1.2 miliardë dollarë asistencë humanitare vetëm këtë vit.
Nga sheshi Maqedonia e deri në Maidan, nga Kapitol Hill deri te Konciliumi i BE-së, mbështetja e gjerë për Ukrainën ka demonstruar se sulmet e paprovokuara ndaj shteteve sovrane dhe të pavarura nuk do të mbeten pa përgjigje dhe do të kenë një çmim shumë të lartë. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e partnerët e tyre në mbarë botën janë më të bashkuar se kurrë.
Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë krah Ukrainës dhe të mbështesim luftën e saj për mbijetesë ndërkohë që punojmë për të forcuar sigurinë europiane dhe vlerat demokratike. Ne qëndrojmë me Ukrainën sepse kufijtë dhe furnizimet me ushqime nuk janë fisha pazaresh. Ne qëndrojmë me Ukrainën sepse të drejtat e njeriut janë të padiskutueshme. Ne qëndrojmë me Ukrainën sepse është gjëja e duhur.
Kate Marie Byrnes
Ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Maqedonisë së Veriut