Departamenti i Shtetit publikoi Raportin ndërkombëtar për liritë fetare për vitin 2022, ku përshkruhet gjendja e lirisë fetare në shtete në mbarë botën. Raportin mund ta lexoni këtu, ndërsa pjesën për Maqedoninë e Veriut e gjeni më poshtë:
MAQEDONIA E VERIUT
RAPORTI NDËRKOMBËTAR MBI LIRINË FETARE NË MAQEDONINË E VERIUT PËR VITIN 2022
Përmbledhje Ekzekutive
Kushtetuta ndalon diskriminimin në baza fetare dhe garanton lirinë e fesë dhe të drejtën e shprehjes fetare. Ajo siguron barazi para ligjit për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga besimet e tyre fetare dhe përmend pesë grupe fetare të krishtera, myslimane dhe hebre që marrin automatikisht lirime tatimore dhe përfitime të tjera.
Grupi ndërinstitucional i punës, i formuar në vitin 2021, vazhdon t’i shqyrtojë ndryshimet dhe plotësimet në ligj, që do t’u mundësojnë kishave dhe xhamive të veçanta të marrin statusin e personit juridik, një kërkesë e kahershme e Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit (KOM-KO) dhe Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut (BFI). Autoritetet dhe Komuniteti Bektashian i Tetovës vazhdojnë të kenë qëndrime kontradiktore në lidhje me regjistrimin e atij grupi fetar. Komuniteti nuk e ka paraqitur sërish kërkesën për regjistrim, që nga viti 2000, për shkak të shqetësimeve se do t’i duhej të ndryshonte emrin, gjë që do të rrezikonte vazhdimësinë e grupit. Anëtarët Bektashian të Tetovës dhe anëtarët e Bashkësisë Fetare Bektashiane (BFB), të regjistruar me lejen e autoriteteve, vazhdojnë ta kundërshtojnë pretendimin e BFI-së për pronësi të plotë dhe planet e saj për ta rinovuar vendin e shenjtë teqenë Harabati Baba, seli tradicionale e Komunitetit të paregjistruar Bektashian të Tetovës. Anëtarët e Komunitetit Bektashian të Tetovës përsëri raportuan për ngacmime nga autoritetet, anëtarët e BFB-së dhe një grupi të veçantë nga Tetova, që u përpoq të merrte vendin e shenjtë në gusht; u thirr policia për të ruajtur qetësinë. Kreu botëror i bektashianëve kërkoi nga Qeveria që t’i mbrojë liritë fetare të bektashianëve të Tetovës dhe t’u përgjigjet, siç tha ai, provokimeve dhe kërcënimeve në rrjetet sociale kundër komunitetit. Grupet e krishtera dhe myslimane thanë se procesi i denacionalizimit (kthimit) të pronës nga qeveria vazhdon të jetë i ngadaltë dhe i paplotë. Qeveria, KOM-KO dhe BFI-ja punuan së bashku për të zgjidhur disa mosmarrëveshje në lidhje me rregullimin dhe akreditimin e shkollave fetare, por shkollat e mesme të drejtuara nga KOM-KO dhe BFI-ja mbetën të pa akredituara në fund të vitit, duke i penguar ata nxënës të regjistrohen në universitetet laike. Në shkurt, policia bëri kallëzim penal për gjuhë të urrejtjes kundër një gruaje për një koment që ajo bëri në mediat sociale gjatë vizitës së një grupi hebre ortodoks. Komisioni Kundër Diskriminimit tha se postimi ishte një “incident antisemitik”. Drejtuesit e BFI-së deklaruan se marrëdhëniet me autoritetet vazhdojnë të përmirësohen, por se autoritetet vazhdojnë të shfaqin favorizim ndaj KOM-KO.
Në maj, Patriarku Ekumenik i Kishës Ortodokse Lindore e njohu kanonicitetin e KOM-KO – se është në bashkësi me kishat e tjera ortodokse – duke i dhënë fund një periudhe të gjatë mosnjohjeje nga Kisha Ortodokse Botërore dhe duke e vendosur KOM-KO në rrugën drejt autoqefalisë. Kisha Ortodokse Serbe (KOS), nga e cila KOM-KO u nda në vitin 1967, e ka njohur autoqefalinë e KOM-KO, edhe pse disa vëzhgues të kishës kanë deklaruar se vetëm Patriarku Ekumenik ka të drejtë të japë autoqefalinë. Statusi i ri i KOM-KO nuk ishte zgjidhur plotësisht në fund të vitit. Gjithashtu në fund të vitit pritej e ardhmja e Kryepeshkopatës Ortodokse të Ohrit (KOO), e cila duhej t’i bashkohej KOM-KO, që është shumë më e madhe, sipas dokumentit të njohjes së KOS-it. Në gusht, komuniteti hebre tha se hapja e dy klubeve kulturore bullgare të emërtuara sipas individëve që punuan me gjermanët në Luftën e Dytë Botërore e fyen kujtimin e hebrenjve të Maqedonisë së Veriut, që vdiqën në kampin e vdekjes në Treblinka. Demonstruesit dhe policia u përleshën në hapjen e njërit prej klubeve. Pas protestave, më 2 nëntor, Parlamenti i ndryshoi dhe plotësoi ligjet përkatëse për ndalimin e regjistrimin dhe punën e subjekteve që mbanin emrat dhe simbolet e nazizmit, nacional-socializmit apo të Rajhut të Tretë, apo që përkrahin mostolerancën, urrejtjen, fashizmin. Gjatë vitit, media raportoi për një incident vandalizmi në një manastir të vendosur në një zonë me popullsi kryesisht myslimane dhe 13 incidente vjedhjesh nga kishat, manastiret dhe xhamitë. KOM-KO dhe BFI-ja nuk i cilësojnë vjedhjet dhe vandalizmin si të kryera nga motive fetare.
Ambasadorja amerikane, si dhe zyrtarë të tjerë të ambasadës, në takimet me përfaqësues të qeverisë, përfshirë drejtorin e Komisionit për Marrëdhëniet me Bashkësitë Fetare dhe Grupet Religioze (KMBFGR), kryetarët e komunave dhe zyrtarë të tjerë diskutuan për dialogun ndërfetar dhe rëndësinë e tolerancës dhe mirëkuptimit ndërmjet grupe të ndryshme fetare. Gjithashtu, me deputetët u diskutua edhe për statusin e lirive fetare në vend, kthimin e pronave bashkësive fetare dhe ndryshimet në ligjin për shkollat e mesme, përfshirë akreditimin e shkollave fetare.
Zyrtarët e ambasadës u takuan gjithashtu me kreun e KOM-KO, Kryepeshkopin e Ohrit dhe Maqedonisë Stefan dhe kreun e BFI-së, Reisin Shaqir Fetahu, për të diskutuar çështjet që lidhen me lirinë fetare, duke përfshirë favorizimin e perceptuar të qeverisë ndaj grupeve të caktuara fetare. Ata gjithashtu u takuan me përfaqësues të grupeve të tjera fetare për të diskutuar për trajtimin e grupeve më të vogla nga autoritetet dhe respektimin e lirive të tyre fetare. Gjatë gjithë vitit, ambasada përdori mediat sociale për të shpërndarë mesazhe, që theksonin rëndësinë e lirisë fetare.
Pjesa I. Demografia fetare
Sipas vlerësimeve të qeverisë amerikane, popullsia e përgjithshme në vend është 2.1 milion (mesi i vitit 2022). Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2021, popullsia totale rezidente është 1.8 milion; pjesa tjetër janë shtetas jo rezidentë, të cilët kanë një ose më shumë vite që ndodhen jashtë vendit; shumë nga këta individë punojnë jashtë vendit. Nga popullsia e zakonshme rezidente, 46,1 për qind e popullsisë janë të krishterë ortodoksë, nga të cilët shumica dominuese janë ndjekës të KOM-KO; 32.2 për qind janë myslimanë, shumica e tyre janë sunitë dhe ndjekës të BFI-së; 13.2 për qind janë të krishterë, pa e specifikuar fenë; dhe 7.2 për qind të panjohur. Grupe të tjera fetare, që së bashku përbëjnë më pak se 2 për qind të popullsisë, përfshijnë një numër të vogël grupesh sufiste me disa urdhra bektashianë, KOO, Dëshmitarë të Jehovait, Kisha e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, grupe të ndryshme katolike protestante dhe Hindusët Vaishnav. Komuniteti hebre vlerëson se ka rreth 200 anëtarë, megjithëse të dhënat nga regjistrimi i vitit 2021 treguan se vetëm 66 individë e konfirmuan përkatësinë etnike si hebrenj.
Shumica e të krishterëve ortodoksë banojnë në rajonet qendrore dhe juglindore. Shumica e muslimanëve jetojnë në pjesët veriore dhe perëndimore të vendit. Ekziston lidhje e ndërsjellë ndërmjet përkatësisë etnike dhe fetare të popullsisë: shumica e të krishterëve ortodoksë janë maqedonas etnikë, ndërsa shumica e myslimanëve janë shqiptarë etnikë. Shumica e romëve, si dhe pothuajse të gjithë turqit dhe boshnjakët etnikë, janë myslimanë, ndërsa numri më i madh i serbëve dhe vllehve janë të krishterë ortodoksë. Ekziston lidhje edhe midis përkatësisë fetare dhe mbështetjes politike, duke pasur parasysh se ndarja e partive politike në masë të madhe ndjek vijën e përkatësisë etnike.
Pjesa II. Situata në lidhje me respektimin e lirive fetare nga ana e shtetit
Kuadri ligjor
Kushtetuta ndalon diskriminimin në baza fetare dhe garanton të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga bindjet e tyre fetare. Ajo siguron lirinë e fesë dhe të drejtën e individëve për ta shprehur lirisht dhe publikisht besimin e tyre, individualisht ose së bashku me të tjerët. Kushtetuta gjithashtu mbron identitetin fetar të të gjitha bashkësive. Sipas Kushtetutës nuk mund të zbatohen kufizimi i lirive dhe të drejtave në lidhje me bindjen personale, ndërgjegjen, mendimin ose rrëfimin fetar. Një amendament në Kushtetutë përmend pesë grupe fetare që janë të liruara nga taksat dhe përfitime të tjera: KOM-KO, BFI, Kisha Katolike, Kisha Ungjillore Metodiste (KUM) dhe Komuniteti Hebre.
Ajo përcakton se këto pesë komunitete, si dhe grupet e tjera të regjistruara, janë të ndara nga shteti dhe të barabarta para ligjit dhe se ato janë të lira për të krijuar shkolla fetare, bamirësi dhe institucione të tjera shoqërore. Ligji mundëson që organizatat e tjera fetare t’i kenë të njëjtat të drejta dhe status ligjor si këto pesë grupe, duke aplikuar për njohje nga Qeveria dhe përmes regjistrimit në gjykatë. Sipas Kushtetutës, është e ndaluar çdo nxitje e urrejtjes fetare ose e mostolerancës nga partitë politike apo shoqatat e tjera të qytetarëve.
Ligji i përkufizon krimet e urrejtjes si vepra penale kundër një personi, personi juridik, ose personave dhe pronës, të kryer për shkak të një karakteristike të vërtetë ose të supozuar të viktimës, përfshirë kombësinë, origjinën etnike dhe fenë ose besimin e viktimës. Gjuha e urrejtjes dhe krimet e urrejtjes janë krime; autorët e krimeve të tjera mund të marrin dënime më të ashpra kur përfshihen elementë të krimit të urrejtjes. Dënimet sillen nga një deri në 10 vjet burg dhe minimumi prej 10 vjet burg për krime të urrejtjes që çojnë në vdekje. Që nga viti 2021, ligji lejon dënime kundër grupeve fetare që promovojnë dhunë me bazë gjinore dhe më tej përcakton se media dhe komunitetet fetare duhet të promovojnë politika kundër dhunës me bazë gjinore.
Organizatat fetare mund të kërkojnë të regjistrohen si “kishë”, “bashkësi fetare” ose “grup fetar”. Ligji i trajton këto tre kategori në mënyrë të barabartë, duke iu dhënë të njëjtat të drejta, përfitime dhe detyrime ligjore. Qeveria njeh 43 organizata fetare, duke i përfshirë edhe ato pesë që i përmend Kushtetuta. Ky numër përfshin 20 kisha, 10 bashkësi fetare (katër të krishtera, katër myslimane, një hindu dhe një hebre) dhe 13 grupe fetare (shtatë të krishtera dhe gjashtë myslimane).
Pasi të jetë regjistruar, një kishë, një bashkësi fetare ose një grup fetar, lirohet nga tatimi mbi pronën vetëm mbi pronën e komunitetit; ata i paguajnë të gjitha tatimet e tjera, siç janë tatimi mbi vlerën e shtuar dhe tatimi mbi të ardhurat personale mbi pagat e drejtuesve të tyre. Grupet kanë të drejtë të kërkojnë kthimin e pronave që u nacionalizuan gjatë epokës socialiste (me kusht që grupi ose komuniteti të ekzistonte gjatë asaj periudhe), të marrin pjesë në projekte të financuara nga qeveria dhe të kërkojnë leje ndërtimi për të mbrojtur dhe restauruar vendet e tyre të shenjta dhe objektet kulturore-historike. Grupet e paregjistruara mund të mbajnë shërbime fetare ose tubime të tjera dhe të predikojnë, por nuk mund të kryejnë disa aktivitete të tjera, si krijimi i shkollave ose marrja e donacioneve që janë të liruara nga taksat për donatorin, dhe vetë nuk janë të liruara nga taksat.
Gjykata Themelore Civile e Shkupit i pranon kërkesat për regjistrim fetar dhe në afat prej tetë ditësh pune duhet të konstatojë nëse kërkesa i plotëson kriteret ligjore. Kriteret përfshijnë praninë fizike dhe administrative në vend, shpjegim të mësimeve dhe praktikave fetare që i bëjnë ato të ndryshme nga organizatat e tjera fetare, si dhe një emër të vetëm dhe emblemë zyrtare. Organizata që paraqet kërkesë për regjistrim duhet të tregojë gjithashtu autoritetin mbikëqyrës përgjegjës për funksionimin e saj financiar dhe të paraqesë një pasqyrë të mjeteve financiare dhe burimeve të financimit, si dhe procesverbalin e mbledhjes themeluese të organizatës. Ligji lejon regjistrimin e disa grupeve të ndryshme që i përkasin të njëjtit besim. Krerët ose përfaqësuesit ligjorë të grupeve fetare të regjistruara duhet të jenë shtetas të vendit.
Gjykata ia paraqet kërkesat e miratuara KMBFGR-së, organi qeveritar përgjegjës për promovimin e bashkëpunimit dhe komunikimit ndërmjet qeverisë dhe grupeve fetare të regjistruara, i cili e regjistron organizatën në Regjistrin e tij. KMBFGR-ja nuk ka kompetencë mbikëqyrëse dhe as kapacitet për të ndikuar në procesin e regjistrimit. Nëse gjykata e refuzon kërkesën për regjistrim, organizata mund ta ankimojë këtë vendim në Gjykatën e Apelit. Nëse Gjykata e Apelit refuzon kërkesën për regjistrim, atëherë organizata mund të paraqesë parashtresë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Gjykatën Kushtetuese, si gjykata më e lartë në vend, përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Nëse Gjykata Kushtetuese e refuzon parashtresën, organizata mund ta apelojë më tej çështjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).
Ligji nuk i lejon organizatat fetare të themelojnë shkolla fillore fetare, por e lejon themelimin e shkollave të arsimit të mesëm dhe të lartë. Shkollat e mesme fetare ndjekin programet e tyre dhe nuk kanë nevojë të akreditohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, megjithëse disa janë të akredituara. Nxënësit në shkollat e mesme fetare të pa akredituara nuk mund t’i nënshtrohen provimit të maturës së detyrueshme shtetërore, pasi temat e diplomës nuk janë të vlefshme dhe për rrjedhojë nuk mund të regjistrohen në universitete. Plan-programi i miratuar nga Ministria kërkon që nxënësit e klasës së gjashtë të zgjedhin njërën nga tre lëndët zgjedhore, dy prej të cilave kanë përmbajtje fetare – Hyrje në religjione dhe Etika fetare. Sipas përshkrimit të dhënë nga Ministria, këto lëndë e paraqesin fenë në mënyrë akademike dhe jofetare. Ministria e Arsimit dhe Shkencës shpesh akrediton teologë për të dhënë mësim në këto lëndë. Ministria urdhëron që të gjithë mësimdhënësit e këtyre lëndëve t’i nënshtrohen trajnimeve të organizuara nga institucionet e arsimit të lartë të akredituara dhe të kryera nga profesorë të filozofisë ose sociologjisë. Prindërit zgjedhin se cilat lëndë do t’i ndjekin fëmijët e tyre. Nëse nxënësit nuk duan t’i ndjekin lëndët mbi fenë, ata kanë opsion të tretë për lëndën zgjedhore, Kultura klasike në qytetërimin evropian.
Çdo shtetas i huaj që hyn në vend me qëllim të kryerjes së aktiviteteve fetare ose kryerjes së riteve dhe ceremonive fetare duhet të marrë një vizë pune përpara se të mbërrijë në vend, e cila zakonisht zgjat rreth katër muaj. KMBFGR-ja mban shënime për të gjithë përfaqësuesit e huaj fetarë dhe institucione të ndryshme qeveritare mund të miratojnë ose ndalojnë që të kryejnë veprimtari fetare në vend. KMBFGR-ja lëshon miratime për leje qëndrimi të përkohshëm dhe/ose aplikime për viza pune për misionarët dhe punonjësit fetarë në emër të kishave, komuniteteve fetare ose grupeve fetare të regjistruara; Ministria e Punës dhe Politikës Sociale verifikon pajtueshmërinë e tyre me ligjet e punës në vend. Ndërsa Ministria e Brendshme shqyrton aspektet e sigurisë. Grupet e paregjistruara mund të paraqesin kërkesa për leje pune dhe viza sipas procedurës normale. Vizat e punës janë të vlefshme për gjashtë muaj, me mundësinë për t’u rinovuar për gjashtë muaj të tjerë. Rinovimet e mëvonshme janë të vlefshme për një vit. Nuk ka kufizim të numrit të rinovimeve të vizave për të cilat mund të aplikojë një punonjës fetar.
Vendi është palë në Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike.
Praktikat qeveritare
Gjatë vitit, grupi i punës i krijuar në vitin 2021 nga Ministria e Drejtësisë, KMBFGR-ja, Komiteti Kombëtar për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftën kundër Terrorizmit, Agjencia e Sigurisë Kombëtare, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financat dhe Regjistri Qendror vazhdojnë të shqyrtojnë projekt-ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për statusin juridik të kishës, bashkësisë fetare dhe grupit religjioz nga viti 2007. Ndryshimet do t’u lejojnë degëve të bashkësive më të mëdha fetare, të tilla si kisha dhe xhami të veçanta, të fitojnë statusin e subjekteve ligjore.
Ky ndryshim, një kërkesë e kamotshme e KOM-KO dhe BFI-së, do t’i mundësonte qeverisë të mbështeste projektet e grupeve fetare, kur kjo të konsiderohej në interes të publikut. Sipas ligjit ekzistues, qeverisë i mungon autoriteti i qartë për të ndihmuar, për shembull, me ruajtjen e vendeve fetare të rëndësishme nga pikëpamja kulturore apo historike. Qeverisë i mungon ai autoritet i shprehur sipas ligjit ekzistues. Grupi i punës shqyrtoi gjithashtu ndryshime të tjera të propozuara në ligjin e vitit 2007, që do ta përafronte atë më tepër me dispozitat ekzistuese të kodit penal dhe ligjeve të tjera. Këto ndryshime do të specifikojnë se grupet fetare nuk duhet të nxisin mostolerancë ndaj grupeve të tjera fetare ose të promovojnë stereotipa për grupet e tjera; të përdorin/abuzojnë emrat, titujt ose simbolet e tyre; të veprojnë kundër rendit ligjor, moralit publik ose shëndetit dhe jetës së besimtarëve të tyre ose besimtarëve të një grupi tjetër fetar; ose nxisin urrejtje fetare, etnike, kombëtare ose racore ose promovojnë radikalizmin fetar. Grupi i punës u konsultua me grupet fetare në lidhje me projekt-amendamentet në fund të vitit.
Gjykata Themelore Civile Shkup ka raportuar se gjatë vitit kanë pranuar gjashtë kërkesa për regjistrimin e kishave dhe bashkësive apo grupeve fetare. Pesë prej tyre ishin kërkesa nga grupe tashmë të regjistruara për të ndryshuar të dhënat, si emri i drejtuesit të grupit, përfaqësuesit ligjor ose selisë; Gjykata mori vendim për dy nga këto kërkesa. Tri kërkesat e mbetura për ndryshim dhe një kërkesë e veçantë për regjistrimin e një bashkësie të re fetare – Xhemati Musliman Ahmadia në Pehçevë – janë ende në pritje të një vendimi në fund të vitit.
BFI-ja deklaroi përsëri se mbetet e shqetësuar për funksionimin e dy grupeve të regjistruara, për të cilat deklaroi se janë “organizata të dyshimta myslimane” – një grup salafistësh në Shkup dhe një grup i Ahli Suna Val Xhama’a (ASVXH) në Kumanovë. BFI-ja kërkoi që këto dy grupe të jenë nën BFI, ose BFI-ja edhe më tej do të vazhdojë t’i kundërshtojë. BFI-ja u kërkoi autoriteteve të heqin regjistrimin e këtyre dy grupeve dhe të ndihmojnë në kufizimin e aktiviteteve të tyre nga përhapja e “pikëpamjeve radikale”, që nuk përkojnë me traditat lokale. Grupi Salafist dhe ASVXH-ja kanë deklaruar se nuk duan të jenë nën BFI. Autoritetet nuk ndërmorën asnjë veprim kundër dy grupeve myslimane gjatë vitit.
Autoritetet dhe Komuniteti Bektashian i Tetovës vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta lidhur me regjistrimin e atij grupi fetar gjatë vitit. Në janar, Gjykata Themelore Civile në Shkup e zgjati deri më 24 shkurt afatin që komuniteti të paraqiste sërish kërkesën për regjistrim si grup fetar, e cila ende është në pritje të vendimit nga viti 2000. Kjo ishte në përputhje me një vendim të Gjykatës së Apelit të vitit 2020, që grupit iu lejua të aplikonte. Komuniteti kërkoi një zgjatje të mëtejshme pasi shqyrtoi mundësinë në gjykatë, por më pas vendosi në korrik të mos ri-aplikonte për regjistrim sepse, sipas ligjit, kjo do të kërkonte që grupi të kishte një emër krejtësisht të ri në mënyrë që të mos binte ndesh me atë të regjistruar tashmë si Bashkësia Fetare Bektashiane (BFB). Bektashianët e Tetovës thanë se mund t’i shtohet diçka emrit aktual për sa kohë që regjistrimi i ri siguron vazhdimësinë si grup fetar në përputhje me aplikacionin origjinal të vitit 2000. Në një letër të datës 7 gusht, kreu botëror i bektashianëve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, kërkoi nga autoritetet që t’i mbrojnë liritë fetare të Komunitetit Bektashian të Tetovës dhe ta regjistrojnë atë me emrin “Selia Botërore Bektashiane – Bashkësia Bektashiane e Maqedonisë së Veriut”. Në nëntor, Gjykata Themelore Civile Shkup e shtyu seancën për këtë çështje; nuk u ndërmor asnjë veprim tjetër për të gjatë vitit. Në vitin 2019, raporti vjetor i Komisionit Evropian për vendin u bëri thirrje autoriteteve të zbatojnë vendimet e mëparshme të GJEDNJ-së për të respektuar të drejtat e bektashianëve të Tetovës, duke përfshirë edhe njohjen zyrtare të tyre si grup fetar. Grupi vazhdon të deklarojë se statusi i tij i paregjistruar kufizon aftësinë e tij për të blerë ose përdorur prona, si kompleksi Harabati Baba Teqe, për veprimtari fetare.
Bektashianët e Tetovës, për 11 vite radhazi, raportojnë në polici raste të ngacmimeve nga persona të cilët ndodhen në kompleksin Harabati Baba Teqe në Tetovë.
Më 8 gusht, sipas përfaqësuesit ligjor të bektashianëve të Tetovës, policia thirri dy dervishë (murgj) të saj larg nga Harabati Baba Teqe dhe i mbajti në stacionin e policisë lokale për gati tre orë. Derisa ishin larg vendit të shenjtë, anëtarët e BFI-së të regjistruar me lejen e autoriteteve, hynë në objekt për të filluar ceremoninë e Ashures, e cila normalisht kërkonte praninë e klerit të bektashianëve të Tetovës. Bektashianët e Tetovës thanë se policia i mbajti si “peng” dy dervishët e tyre dhe se Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) “konspironte” me BFI-në për t’i mundësuar atij grupi ta merrte vendin e shenjtë. Bektashianët e Tetovës po ashtu deklaruan se anëtarët e BFI-së, që kanë hyrë në vendin e shenjtë, nuk kanë pasur leje për të hyrë, por se policia i ka lejuar të hyjnë sepse BFI-ja është regjistruar me lejen e autoriteteve.
Më 11 gusht, Ministria e Punëve të Brendshme dërgoi dhjetëra policë për të ruajtur qetësinë, kur një grup i BFI-së, së bashku me anëtarët e grupit të ndarë të Tetovës, u përpoqën ta dëbonin dervishin bektashi të Tetovës, nga vendi i shenjtë Harabati Baba Teqe dhe për ta penguar prijësin bektashian Brahimaj dhe pasuesit e tij që të kremtojnë festën e Ashures në objekt.
Më 4 gusht, kreu bektashian Brahimaj i shkroi shefit të policisë së Tetovës dhe prokurorit themelor për të kërkuar veprim nga qeveria në përgjigje të atyre që ai i quajti si “provokime dhe kërcënime” në rrjetet sociale kundër bektashianëve të Tetovës nga individë, të cilët Kryesia Botërore Bektashiane i kishte dëbuar më parë për nxitje të mostolerancës ndaj grupeve të tjera fetare dhe tentativa për të marrë me forcë Teqenë Harabati Baba në vitin 2010. Brahimaj nuk ka dhënë detaje rreth provokimeve dhe kërcënimeve.
Sipas një anëtari të BFI-së, ankesa e BFB-së kundër vendimit të gjykatës në Gostivar, e cila ia dha pronësinë e Teqesë Harabati Baba një kompanie private, ishte ende në pritje të vendimit nga Gjykata Supreme në fund të vitit. Megjithatë, personeli i gjykatës dhe drejtuesit e BFB-së nuk mundnin ta konfirmonin këtë.
KOM-KO vëren se procesi i denacionalizimit (kthimit) të pronës vazhdon të jetë i ngadaltë dhe se më shumë se 90 për qind e të gjitha vendimeve pozitive të marra nga Komisioni i Denacionalizimit, i cili vendos për kërkesat, janë ankimuar nga Zyra e Avokaturës së Shtetit. KOM-AO deklaroi se nga këndvështrimi i tyre, komisionet vendore të denacionalizimit në të gjithë vendin nuk funksiononin. KOM-AO vëren se në dy vitet e fundit komisionet kanë vendosur vetëm për një çështje për kthimin e pronës së kishës dhe se është ankimuar nga Prokuroria e Shtetit dhe po shqyrtohet në gjykatë. Drejtuesit e KOM-AO theksuan se u duket e çuditshme që komunitetet e tjera fetare pretendojnë se KOM-AO është e privilegjuar në procesin e kthimit, pasi vetëm 65 për qind e pronës së saj është kthyer ose kompensuar, që nga fillimi i kthimit në vitin 2000.
Sipas BFI-së, autoritetet u kanë kthyer më pak se 50 për qind të pasurisë që shteti ka sekuestruar para vitit 1991. Pronat e kontestuara përfshijnë Xhaminë Husamedin Pasha në Shtip (të nacionalizuar në vitin 1955, për të cilin KOM-AO beson se historikisht ka qenë kishë), disa xhami në Shkup, xhamia Jeni në Manastir dhe xhamia qendrore në Prilep (e cila ende është nën rrënoja). BFI-ja vazhdon të deklarojë se kompensimi që pretendon për pronën e saj ka qenë shpesh nën vlerën në treg. BFI-ja deklaron se autoritetet qeveritare, veçanërisht Ministria e Financave, i kanë ankimuar vendimet e tyre për kthimin e pronave para gjykatave, për ta vonuar ose parandaluar kthimin faktik të pronave.
BFI-ja deklaroi se autoritetet ende nuk kanë lëshuar leje ndërtimi për një xhami në fshatin e përzier etnikisht dhe fetar Llazhec, si dhe për rikonstruksionin e xhamisë në Strumicë dhe xhamisë qendrore në Prilep, me arsyetimin se ato janë monumente kulture nën juridiksionin e Qeverisë, e jo të BFI-së.
Mediat në muajin shtator raportuan se autoritetet ia kishin kaluar KOM-AO pronësinë e varrezave myslimane në komunën e Likovës, pa dijeninë e banorëve vendas, komunës apo BFI-së. Media e cilësoi procedurën si “skandaloze” dhe të bërë në emër të kthimit të pronave në parcelat që nuk i përkisnin asnjëherë KOM- AO. BFI-ja thekson se është duke punuar me KOM-AO për zgjidhjen e kontestit.
KUM, e cila është pjesë e Kishës Metodiste të Bashkuar në SHBA, vazhdon të deklarojë se kthimi i pronës së kishës nuk ka përfunduar ende. KUM u ankua se nuk mund të ndërtonin kishë në Prilep, sepse komuna refuzoi t’u jepte leje për më shumë se 20 vjet, edhe pse në atë pronë kishte një kishë për më shumë se 100 vjet dhe planet zonale parashikonin një kishë. KUM vazhdon të deklarojë se me probleme të ngjashme përballet edhe në qytete të tjera.
KOM-KO tha se Komuna e Tetovës dy vjet nuk i kishte respektuar angazhimet e saj të mëparshme për të shtruar rrugën e njërës nga kishat e saj të një lagjeje, ose për të ndërtuar një kapelë te varrezat, si dhe për të mbledhur plehrat në hyrje të varrezave. KOM-KO tha gjithashtu se komuna e Strugës ende nuk kishte vendosur mbi një kërkesë, në pritje që nga viti 2013, për ndërtimin e një kishe ortodokse në fshatin Oktis.
KOM-AO deklaroi në KMBFGR se nuk ka përparim në ndërtimin e një kishe tjetër në Tetovë dhe një kishe në fshatin fqinj Falishë.
KOM-AO dhe autoritetet vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta për disa çështje në fushën e arsimit. KOM-AO thotë se dëshiron që maturantët e shkollës së mesme teologjike të marrin diploma të njohura nga shteti, por nuk pajtohet me planin e propozuar të Ministrisë së Arsimit, i cili do të reduktonte kohëzgjatjen e plotë të shkollës nga pesë në katër vjet, kohëzgjatje standarde për një diplomë të shkollës së mesme laike. KOM-AO thekson se kohëzgjatja e shkollës duhet të mbetet pesë vjet, që sipas kishës është kohë optimale që nxënësit e shkollave të mesme t’i përfundojnë lëndët teologjike të kërkuara nga KOM-AO dhe të gjitha lëndët laike të kërkuara nga shteti për ta njohur diplomën. Çështja mbeti e pazgjidhur në fund të vitit.
KOM-AO gjithashtu thekson se është “jashtëzakonisht e pakënaqur” që pas vitit shkollor 2022-2023 Etika në religjione nuk do të mësohet si lëndë e veçantë në shkollat fillore dhe përmbajtja e saj do të përfshihet në lëndët e tjera. Sipas KOM-AO, kjo do të thotë se disa studentë të diplomuar për teologji me specializim në studime teologjike, të cilët normalisht e ligjëronin këtë lëndë, do të mbeten pa punë.
Autoritetet, KOM-AO dhe BFI-ja punuan së bashku gjatë vitit për të zgjidhur disa mosmarrëveshje në lidhje me rregullimin dhe akreditimin e shkollave fetare. Deputetët nga koalicioni qeverisës thanë se kanë përgatitur ndryshime dhe plotësime në Ligjin për Arsimin e Mesëm të vitit 2020, që u mbështetën nga të dy grupet fetare dhe me të cilat do të institucionalizohen shkollat e mesme fetare. Pasi të miratohen, ndryshimet dhe plotësimet do t’u japin status të shkollës shtetërore dhe financim shtetëror shkollave të mesme të krishtera ortodokse dhe medreseve islame dhe do të lejojnë që shkollat të funksionojnë pa ndërhyrjen e qeverisë. Në korrik, autoritetet, KOM-AO dhe BFI-ja arritën një kompromis që programet e shkollave të mesme fetare të përmbajnë 55 për qind lëndë të përgjithshme laike dhe 45 për qind lëndë fetare. Kuvendi, megjithatë, nuk e mbajti seancën e kërkuar të komisionit për ndryshime dhe plotësime para fundit të vitit.
Shkollat e mesme fetare të KOM-AO dhe BFI-së mbetën të pa akredituara në fund të vitit, kurse maturantët e tyre nuk mundën të regjistroheshin në universitetet laike për shkak se nuk kishin të drejtë të jepnin provimin përfundimtar shtetëror që e kërkon Ligji për Arsimin e Lartë, të cilin të gjithë nxënësit e shkollave të mesme duhet ta kalojnë për t’u regjistruar në ato universitete. Maturantët nga shkollat e mesme fetare KOM-AO dhe BFI, nga ana tjetër, mund të regjistroheshin pa dhënë provimin shtetëror në Fakultetin Teologjik Ortodoks dhe në Fakultetin e Shkencave Islame, sepse këto institucione e interpretuan kërkesën për dhënie të provimit se vlen vetëm për nxënësit e shkollave të mesme të akredituara. Ministria e Arsimit për vitin akademik 2022-2023, këtyre dy fakulteteve u ka ndarë gjithsej rreth 25 milionë denarë (434.000 dollarë).
Përfaqësuesit e BFI-së deklarojnë se pavarësisht negociatave të vazhdueshme për ndryshime në ligjin e arsimit, autoritetet vazhdojnë ta vonojnë certifikimin e medreseve të BFI-së, që duan të akreditohen. Kjo ishte një arsye tjetër, përveç detyrimit të provimit shtetëror, që nxënësit e këtyre shkollave nuk mund të regjistroheshin në universitete laike.
Disa grupe fetare dhe prindër vazhdojnë të raportojnë se priftërinjtë ortodoksë dhe imamët që ishin angazhuar për të dhënë lëndë hyrëse mbi fenë dhe etikën si pjesë e programit së arsimit të zakonshëm, shpesh fokusohen në praktikimin e besimit të tyre, në vend që të paraqesin një pasqyrë neutrale të besimeve të ndryshme. Fëmijët e shkollave nga familjet laike dhe që nuk e praktikojnë fenë shpesh ngacmoheshin nga bashkëmoshatarët e tyre për “mungesë të edukimit fetar”.
Më 1 shkurt, me kërkesë të kryeministrit Dimitar Kovaçevski, nënkryetari i parë i Qeverisë Artan Grubi, ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski dhe drejtori i KMBFGR-së Darian Sotirovski u takuan me liderët e pesë grupeve fetare të përmendura në Kushtetutë – Kryepeshkopi Stefan nga KOM-AO; Reisi Fetahu nga BFI-ja; Imzot Kiro Stojanov nga Kisha Katolike; Pepo Levi i Komunitetit Hebre; dhe Marjan Dimov nga KUM – të cilët shprehën mirënjohjen e tyre për vëmendjen e nivelit më të lartë qeveritar ndaj interesave të bashkësive të tyre fetare. Kovaçevski premtoi se do të vazhdojë “bashkëpunimi i mirë me bashkësitë fetare” dhe tha se “nuk do të ketë çështje që nuk mund të zgjidhen” me respekt dhe dialog. Kovaçevski më tej tha se Qeveria është e vendosur të promovojë politikën e saj “Një shoqëri për të gjithë” për të ndihmuar në ndërtimin e besimit ndërmjet të gjitha komuniteteve fetare, etnike dhe të tjera. Në deklaratën pas takimit, krerët fetarë e kanë mbështetur Kovaçevskin dhe Qeverinë dhe presin që të vazhdojnë të punojnë me ta me një “qasje të hapur, të ndershme dhe me dinjitet” për çështje të rëndësishme për qytetarët e vendit dhe të ardhmen e tij. Krerët nuk dhanë detaje të tjera.
Drejtuesit e BFI-së thanë se marrëdhëniet me autoritetet ishin përmirësuar për komunitetin e tyre, por disa ministri dhe gjyqësori ende nuk e trajtojnë siç duhet BFI-në. Sipas BFI-së, Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka përfunduar hetimet pas incidenteve të lidhura me komunitetin mysliman dhe kreun e tij, siç janë tentativat në vitin 2015 dhe 2019 për marrjen me dhunë të selisë së BFI-së.
Kishat më të vogla protestante deklaruan se autoritetet u kanë dhënë më shumë privilegje KOM-AO dhe BFI-së dhe se këto dy grupe më të mëdha kanë më shumë të drejta se grupet e tjera fetare. Për shembull, kishat më të vogla raportuan se kishin vështirësi në ndërtimin e kishave për shkak se autoritetet lokale ishin më të gjindshëm me KOM-AO për çështjet e zonave dhe ndërtimit. Ata deklaruan gjithashtu se zyrtarët qeveritarë takoheshin më shpesh me pesë grupet e njohura me kushtetutë sesa me grupet më të vogla. Krerët e KOM-AO dhe BFI-së thanë se ankesat për favorizim nga autoritetet janë një perceptim i gabuar për shkak të përmasave më të mëdha dhe pranisë më të gjerë të komuniteteve të tyre në vend.
Në mars, BFI-ja deklaroi se autoritetet vazhduan t’i jepnin KOM-AO privilegje unike, siç është sigurimi falas i pronave publike. Si KOM-AO ashtu edhe BFI-ja deklaruan gjithashtu se përkundër rolit kyç të punonjësve fetarë në shërbimin ndaj atyre që janë në burgje apo spitale, Ministritë e Shëndetësisë, Drejtësisë dhe Mbrojtjes shpesh nuk u lejojnë priftërinjve dhe kapelanëve të ushtrisë qasje te të burgosurit dhe pacientët. KOM-AO dhe BFI-ja deklaruan se autoritetet i arsyetojnë këto veprime, duke përmendur ndarjen e shtetit nga feja.
Në shkurt, policia në Ohër bëri kallëzim penal për gjuhën e urrejtjes kundër një gruaje që postoi në mediat sociale, “Hoteli duhet të digjet me hebrenjtë në të”, duke iu referuar vizitës së grupit hebre ortodoks Lev Tahor në atë qytet. Komisioni Kundër Diskriminimit tha se postimi ishte “një incident antisemitik që përmban elemente diskriminimi”. Nëse shpallet fajtore, gruaja mund të përballet me një dënim deri në pesë vjet burg. Policia e mori në pyetje gruan, e cila më pas e fshiu postimin e saj në rrjetet sociale, por në fund të vitit nuk kishte asnjë informacion të mëtejshëm për këtë rast.
Më 1 shkurt, Qeveria i shqyrtoi dhe i miratoi kërkesat për t’u bërë anëtare e plotë e Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (IHRA). Ajo deklaroi se vendimi i IHRA-s i vitit 2021 për ta pranuar vendin ishte një njohje e politikave dhe arritjeve të qeverisë në fushën e përkujtimit, hulumtimit dhe edukimit mbi Holokaustin, si dhe në luftën kundër antisemitizmit, mohimit dhe shtrembërimit të Holokaustit.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës vazhdon t’i bëjë të disponueshme Rekomandimet e IHRA-s për nxënien dhe mësimin rreth Holokaustit në maqedonisht, shqip, turqisht dhe serbisht (gjuhë të mësimit në shkollat publike) dhe e shpërndan botimin nëpër shkollat anembanë vendit. Byroja e Zhvillimit të Arsimit e ministrisë dhe Muzeu i Holokaustit vazhdojnë gjithashtu t’i publikojnë rekomandimet në ueb sajtet e tyre.
Më 27 shtator, KMBFGR-ja organizoi një aksion bamirësie me pjesëmarrjen e KOM-AO, BFI-së dhe një grupi protestant për shpërndarjen e ushqimit për personat në nevojë
Pjesa III. Situata në lidhje me respektimin e lirive fetare në shoqëri
Më 9 maj, Patriarku Ekumenik Bartolomeu i Kishës Ortodokse Lindore e njohu kanonikun, por jo dhe autoqefalinë e plotë të KOM-AO dhe krijoi bashkësi me atë kishë. Me vendimin e patriarkut iu dha fund periudhës së gjatë të mosnjohjes së KOM-AO nga kishat e tjera ortodokse. Më 17 maj, KOS-i e festoi njohjen e KOM-AO në një meshë të përbashkët në Beograd, e më pas në meshë të përbashkët në Shkup. Më 5 qershor, KOS-i njoftoi se po i jepte autoqefalinë e plotë KOM-AO, megjithëse disa vëzhgues të kishës deklaruan se vetëm Patriarku Ekumenik kishte të drejtë ta bënte këtë. KOM-i dhe KOS-i janë të ndara që nga viti 1967. Më 25 gusht, Kisha Ortodokse Ruse e ndoqi KOS-in në njohjen e autoqefalisë së KOM-AO. Më pas, ipeshkvijtë e KOM-AO kremtuan mesha të përbashkëta me ipeshkvijtë e Kishave Ortodokse të Jerusalemit, Rusisë, Bullgarisë dhe Greqisë.
Patriarku Bartolomeu deri në fund të vitit nuk e kishte lëshuar tomos-in (dekretin), me të cilin do të finalizohet autoqefalia e KOM-AO. Mediat raportuan se KOM-AO do të duhej të njihej nën Kryepeshkopatën historike të Ohrit dhe të hiqte ndërkombëtarisht emrin “Maqedoni” nga emri i saj për të fituar autoqefalinë. Patriarku për televizionin grek në maj deklaroi: “Ne e emërtuam kishën e tyre [KOM-AO] Kryepeshkopata e Ohrit dhe përjashtuam termin “Kisha Maqedonase” dhe çdo fjalë që rrjedh nga fjala “Maqedoni”. Sipas mediave, zëdhënësi i KOM-AO, ipeshkëvi Timotej, deklaroi: “Kryepeshkopata e Ohrit nuk është emër poshtërues; ka një histori 10 shekullore”.
E ardhmja e KOO-së, e cila do të pushojë së ekzistuari dhe do të shkrihet me shumë më të madhen KOM-AO, pasi Patriarku Bartolomeu të njohë autoqefalinë e KOM-AO, deri në fund të vitit nuk ishte e zgjidhur. KOO-ja nuk i është përgjigjur publikisht njohjes së KOM-AO apo bashkimit të mundshëm, por zyrtarët e KOM-AO thanë se bashkimi me KOO-në është pozitiv. Përfaqësuesit e KOM-AO deklaruan se janë të gatshëm që në KOM-AO të përfshijnë ipeshkvij të KOO-së dhe ofruan eparki në Dellçevë, Poreç dhe Kreshevo. Ndryshe nga vitet e mëparshme, përfaqësuesit e KOO-së nuk pretenduan se autoritetet ndërhynë në punët e saj apo raportuan sulme apo fyerje ndaj klerit, anëtarëve të familjes apo objekteve të tyre. Historikisht, KOO nuk ka më shumë se 100 deri në 200 ndjekës.
Megjithatë, pati akte dhune kundër një grupi hebre që ishte për vizitë. Në shkurt, rreth 30 anëtarë të grupit hebre ortodoks Lev Tahor u kërcënuan dhe u ngacmuan nga banorët vendas, menjëherë pas mbërritjes së tyre nga Bosnjë-Hercegovina. Grupi, i përbërë nga anëtarë nga Kanadaja, Shtetet e Bashkuara, Belgjika dhe vende të tjera, fillimisht qëndroi në Kumanovë dhe më pas u zhvendos në Shkup dhe Ohër “për sigurinë e tyre”, tha një anëtar për mediat, pasi persona të paidentifikuar hodhën gurë dhe vezë në banesat e përkohshme të grupit dhe thyen derën e njërës prej shtëpive të tyre. Në Shkup, sipas policisë, policë patrullonin jashtë hotelit të grupit “për sigurinë e tyre”. Policia apeloi për më shumë “tolerancë” publike ndaj tyre. Një anëtar i grupit tha: «Ka një përshtypje të gabuar publike për fenë tonë. Fakti që jemi të ndryshëm nuk do të thotë se jemi të rrezikshëm”. Pasi grupi u zhvendos në Ohër, u deshën “orë” për të gjetur një hotel që do t’i pranonte, thonë anëtarët, ndërsa një grup tjetër protestuesish i dhanë pronarit të hotelit që i pranoi ultimatum 24 orësh për t’i dëbuar. Grupi Lev Tahor u largua nga vendi për në Greqi në fillim të majit, pas përfundimit të lejeve të qëndrimit prej 90 ditësh.
Bektashianët e Tetovës vazhdojnë ta kontestojnë kërkesën e vitit 2017 të BFI-së për pronësi të plotë të kompleksit Harabati Baba Teke, të cilin bektashianët e Tetovës e përdornin si selinë e tyre. Bektashianët e Tetovës vazhdojnë të kundërshtojnë planet e BFI-së për rinovimin e kompleksit (me ndihmën e qeverisë turke), duke penguar kështu fillimin e rinovimit. Përfaqësuesit e bektashianëve të Tetovës deklaruan se renovimi i kompleksit pa pëlqimin e tyre do t’i largojë plotësisht prej tij, përveç shkatërrimit të trashëgimisë së vlefshme. Ata nuk mund të bënin një kërkesë ligjore për pronësinë e kompleksit, pasi grupi mbeti i paregjistruar.
Sipas KMBFGR-së, qytetarët në disa zona, ku grupe të ndryshme fetare jetonin afër njëri-tjetrit shpesh ankoheshin tek autoritetet komunale ose policia për volumin e ezanit të xhamive. Në një rast, banorët e lagjes Sveti Jovan u ankuan për volumin e ezanit nga xhamia e ndërtuar ilegalisht në lagjen afër romëve. KMBFGR-ja ka dorëzuar ankesat e marra nga qytetarët në polici ose tek inspektorët komunalë të komunave. Anëtarët e KMBFGR-së kanë biseduar edhe me zyrtarë të BFI-së, të cilët ishin dashamirës ndaj ankesave për ezanin, sipas KMBFGR-së. Megjithatë, shumë xhami nuk e ulën volumin e ezanit të tyre.
Komuniteti hebre nuk raportoi asnjë akt dhune kundër anëtarëve të tij në vend gjatë vitit, por tha se fëmijët hebrenj ndonjëherë ngacmoheshin për shkak të identitetit të tyre hebre. Komuniteti, gjithashtu, tha se fëmijët dhe anëtarët e tij ishin ngacmuar nga ata që besonin se mbështetja perëndimore për Ukrainën kundër pushtimit rus në shkurt ishte pjesë e një “komploti global hebre”.
Komuniteti hebre dhe vëzhguesit e pavarur raportuan një rritje të konsiderueshme të urrejtjes dhe incidenteve antisemitike në krahasim me vitin e kaluar, veçanërisht gjatë vizitës së grupit Lev Tahor. Në një deklaratë më 22 shkurt, Komuniteti Hebre tha se ishte i tronditur nga antisemitizmi dhe ksenofobia “e pabesueshme” dhe “e paprecedentë” kundër anëtarëve të grupit në mediat sociale, sidomos nga postimi që bën thirrje që hoteli në të cilin banonte grupi të “digjej bashkë me hebrenjtë në të”, gjë që shkaktoi “frikë dhe ankth” te anëtarët e komunitetit hebre. Komuniteti hebre u bëri thirrje autoriteteve të ndërmarrin veprime kundër nxitësve dhe u tha gazetarëve që të ishin “shumë të kujdesshëm” në raportimet e tyre për grupin, për të mos e nxitur atë që ata e quajtën “fobi” anti-hebreje.
Në fund të shkurtit, një imam nga Shkupi e akuzoi presidentin ukrainas Volodimir Zelenski për bashkëpunim me hebrenjtë kundër palestinezëve, duke pretenduar se kjo ishte për shkak të “origjinës hebreje” të Zelenskit. BFI-ja e ka paralajmëruar imamin, i cili më pas i ka kërkuar falje udhëheqjes së BFI-së për deklaratat e tij. Në mars, ish-gazetarja e shërbimit publik kombëtar të RTVM-së Emilija Geleva postoi në mediat sociale se “nazistët”, me të cilët Presidenti Vladimir Putin tha se Rusia po luftonte në Ukrainë, ishin hebrenj amerikanë në administratën aktuale të SHBA-së, përfshirë edhe Sekretarin e Shtetit..
Më 18 prill, Komuniteti Hebre dhe Fondi i Holokaustit të Hebrenjve të Maqedonisë së Veriut lëshuan një deklaratë për shtyp si reagim ndaj hapjes së një klubi kulturor bullgar në Manastir me emrin Vanço Mihaillov, për të cilin ata thanë se ishte një fashist dhe bashkëpunëtor me nazistët. Kryeministri i atëhershëm i Bullgarisë, Kiril Petkov dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë bullgare morën pjesë në hapjen, e cila u zhvillua më 16 prill, në Shabat dhe ditën e parë të Paskës. Komuniteti hebre dhe Fondi i Holokaustit thanë se ky ishte një “akt fyerjeje” dhe mohimi i Holokaustit. Komuniteti hebre deklaroi gjithashtu se hapja e klubit është një kërcënim për të drejtat dhe liritë e njeriut, një shkelje e karakterit dhe vlerave demokratike të Evropës moderne, një akt që kërcënon multikulturalizmin dhe një shembull klasik i mosrespektimit dhe shtrembërimit të historisë. Komuniteti hebre i kërkoi Qeverisë së Bullgarisë të kërkojë falje dhe Parlamentit të ndryshojë dhe plotësojë Kodin Penal të Maqedonisë së Veriut, me sugjerim të komunitetit hebre në vitin 2017, për të kriminalizuar përhapjen e antisemitizmit, mohimin dhe shtrembërimin e Holokaustit, glorifikimin e fashizmit dhe nazizmit dhe përdorimin e simboleve apo përshëndetjeve naziste.
Më 10 gusht, Komuniteti Hebre dhe Fondi i Holokaustit të Hebrenjve dënuan regjistrimin e klubi kulturor bullgar në Ohër, të emërtuar sipas mbretit bullgar Borisi III dhe thanë se ishte një “glorifikim i nazizmit dhe fashizmit”. Në një deklaratë, ata thanë se Borisi III, i cili udhëhoqi Bullgarinë, kur ajo u bë aleate me Gjermaninë në Luftën e Dytë Botërore, ishte i lidhur drejtpërdrejt me dëbimin e hebrenjve nga Maqedonia e Veriut në kampin e vdekjes Treblinka dhe ata i kërkuan qeverisë të sigurojë një kornizë ligjore, që do të pengonte formimin e organizatave të tilla. Në deklaratë ata po ashtu thanë: “Vendi ynë mund dhe duhet t’i pengojë rastet më të shpeshta të regjistrimit të shoqatave të tilla, të cilat, përmes provokimeve të tyre, përhapin gjuhën e urrejtjes…nën petkun e lirisë së fjalës.” Kryetari i komunitetit hebre Levy deklaroi se shoqata të tilla janë “një provokim nga pala bullgare” dhe “jo në frymën e fqinjësisë së mirë”. Mediat raportuan se disa qindra protestues u përleshën me policinë para ndërtesës së klubit, kur u hap më 7 tetor.
Pas protestave, më 2 nëntor, Kuvendi i miratoi njëzëri ndryshimet në Ligjin për Shoqata dhe Fondacione dhe në Ligjin për Parti Politike, të cilat ndalojnë regjistrimin dhe funksionimin e shoqatave, fondacioneve apo partive politike që mbajnë emrat dhe simbole të nazizmit, nacional-socializmit, ose Rajhut të Tretë ose që mbrojnë, nxisin ose përkrahin mostolerancën, urrejtjen ose fashizmin. Subjekteve ekzistuese u janë dhënë tre muaj afat për të bërë korrigjime në përputhje me ndryshimet ose rrezikojnë të çregjistrohen.
Në shkurt, ish-imami Skënder Buzaku, i cili njoftoi në vitin 2020 se do të kandidohej për kreun e BFI-së, tha se policia nuk kishte vepruar në lidhje me kërcënimet e mesazheve me tekst kundër tij në vitin 2021. Buzaku tha se makina e tij u dogj nga persona të panjohur në fund të janarit dhe kërcënimet ndaj tij ka të ngjarë të vazhdojnë, por ai nuk e bëri publik incidentin për t’i shmangur telashet. Policia ende ishte duke i hetuar kërcënimet në fund të vitit. BFI-ja e dëboi Buzakun në vitin 2015, për rolin e tij në marrjen e përkohshme të selisë së BFI-së në Shkup atë vit nga persona të armatosur.
Fondi i Holokaustit vazhdon të punojë me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në një projekt për të trajnuar mësimdhënësit për t’i mësuar nxënësit e shkollave të mesme rreth Holokaustit dhe historisë së hebrenjve.
Nga data 30 shtator deri më 2 tetor, Qendra Përkujtimore e Holokaustit (një organizatë e ndryshme nga Fondi i Holokaustit), me mbështetjen e organizatës joqeveritare (OJQ) Centropa, mbajti një seminar tre-ditor për mësuesit e shkollave fillore dhe të mesme nga Evropa Juglindore, për të zotëruar aftësi të reja dhe për të mësuar teknika të reja mësimore për Holokaustin dhe historinë e hebrenjve në Maqedoninë e Veriut. Qendra, e cila u rihap në vitin 2020, vazhdon të përkujtojë popullsinë hebreje të vendit dhe ata që u dërguan në kampin e vdekjes në Treblinka gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për aq sa lejojnë kufizimet e COVID-19, qendra ka zhvilluar programe edukative për Holokaustin, në partneritet me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Megjithatë, Qendra Përkujtimore e Holokaustit raportoi se Ministria nuk ka bërë mjaftueshëm për të lehtësuar vizitat e nevojshme të shkollave në muzeun e qendrës nga nxënës të shkollave të mesme.
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, një OJQ me seli në vend që i përcjell ankesat e qytetarëve për gjuhën e urrejtjes, regjistroi dy raste të gjuhës së urrejtjes me bazë fetare gjatë vitit, krahasuar me 30 në vitin 2021. Rastet e regjistruara nuk i përfshijnë incidentet gjatë vizitës së grupit Lev Tahor. Komiteti tha se gjuha e urrejtjes e bazuar në fe u shfaq gjatë festave të mëdha fetare. Komiteti gjatë vitit regjistroi 51 raste shtesë të gjuhës së urrejtjes në internet bazuar në përkatësinë etnike, duke theksuar se ajo po bëhet më e përhapur se gjuha e urrejtjes bazuar në fe.
Mediat raportuan për 13 vjedhje nga kishat, manastiret ortodokse dhe xhamitë gjatë vitit, krahasuar me 18 në vitin 2021. As KOM-AO dhe as BFI-ja nuk i kanë cilësuar vjedhjet dhe vandalizmin si motive fetare. KOM-AO vazhdon të raportojë për akte të herëpashershme vandalizmi në manastirin mesjetar të Matejçes, që vizitohet rrallë, në një komunë të banuar kryesisht me myslimanë.
Pjesa IV. Politika dhe angazhimi i qeverisë së SHBA-së
Ambasadorja amerikane dhe zyrtarë të tjerë të ambasadës diskutuan mbi dialogun ndërfetar, tolerancën dhe mirëkuptimin midis grupeve të ndryshme fetare me përfaqësues të qeverisë, përfshirë drejtorin e KMBFGR-së, kryetarët e komunave dhe zyrtarë të tjerë. Me deputetët, ata diskutuan gjithashtu gjendjen e lirive fetare në vend, kthimin e pronës dhe ndryshimet në ligjin për shkollat e mesme, duke përfshirë akreditimin e shkollave fetare.
Në shkurt, ushtruesi i detyrës foli në mbështetje të pluralizmit fetar, të drejtave të njeriut, trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore dhe respektim të diversitetit në një ngjarje në Shkup për shënimin e 484-vjetorit të vendit të shenjtë Harabati Baba Teqe. Në mars, ambasadorja foli në përkujtimin e 79-vjetorit të dëbimit të hebrenjve në Treblinka. Ajo bëri thirrje për unitet për të krijuar lidhje më të mëdha me fqinjët dhe për të demonstruar vlerat e humanizmit dhe respektit, gjë që do të ndihmojë t’i jepet fund antisemitizmit. Ajo gjithashtu, bëri thirrje për t’i dhënë fund mohimit dhe shtrembërimit të Holokaustit, si dhe rrëfimeve përçarëse, të pasakta faktikisht dhe historikisht të manipuluara për përfitime politike.
Zyrtarët e ambasadës u takuan në mars dhe në maj me kreun e BFI-së Fetahu dhe në mars me kryepeshkopin e KOM-AO Stefan për të diskutuar çështjet e lirisë fetare, duke përfshirë favorizimin e perceptuar të qeverisë ndaj grupeve të caktuara fetare. Ata u takuan gjithashtu me përfaqësues të grupeve të tjera fetare, duke përfshirë Kishën Katolike, Komunitetin Hebre, Kishën Ungjillore Metodiste, Komunitetin Bektashian dhe Baptist, për të diskutuar çështje që lidhen me lirinë fetare, duke përfshirë trajtimin e grupeve më të vogla nga autoritetet dhe respektimin e lirive të tyre fetare.
Gjatë vitit, ambasada postoi 14 mesazhe në mediat sociale në lidhje me lirinë fetare, duke arritur më shumë se 60,000 ndjekës dhe duke krijuar mbi 4,000 ndërveprime. Temat e përfshinë edhe Ditën Ndërkombëtare të Lirisë Fetare dhe Ditën Kombëtare të Lirive Fetare të SHBA-së, si dhe takime të ambasadores dhe përfaqësuesve të tjerë të ambasadës me krerët fetarë të vendit.
# # #