Ramiz Merko, Kryetar i Strugës, Maqedonia e Veriut, emërtohet për korrupsion të konsiderueshëm

DEKLARATë nga MATTHEW MILLER, zëdhënës i departamentit të shtetit 


20 qershor
 2023

Shtetet e Bashkuara emërtojnë kryetarin e komunës së Strugës, Maqedonia e Veriut, Ramiz Merko, si përgjithësisht të papërshtatshëm për të hyrë në territorin e Shteteve të Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Derisa shërbente si kryetar i komunës së Strugës, Merko shpërdoroi fondet dhe ndërhyri në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut në institucionet dhe zyrtarët demokratikë të Maqedonisë së Veriut.

Veprimi i sotëm dërgon një mesazh se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Maqedoninë e Veriut për të nxitur stabilitet përmes forcimit të institucioneve demokratike dhe adresimit të mangësive në sundimin e ligjit. Ky emërtim riafirmon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të vendeve, dhe zvogëlon aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të popujve të tyre.

Ky emërtim publik është bërë sipas Nenit 7031(c) të Ligjit për Ndarje Buxhetore për Programe të Departamentit të Shtetit, Operacione të Jashtme, dhe Programe të Ndërlidhura, të vitit 2023. Departamenti i Shtetit gjithashtu emërton bashkëshorten e Merkos, Shpresa, dhe tre fëmijët e rritur, Genc, Nazmije dhe Drenushe, të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara.