DEKLARATË NGA NED PRICE, ZËDHËNËS
11 prill 2022
Departamenti i Shtetit i SHBA ka përcaktuar publikisht ish-kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut Nikolla Gruevski dhe ish-drejtorin e Departamentit të Sigurisë dhe Kundërzbulimit (UBK) Sasho Mijallkov si dhe Gordana Tadić e Bosnje-Hercegovinës nga zyra e kryeprokurorit. I kemi marrë këto veprime si përgjigje ndaj përfshirjes së këtyre ish-zyrtarëve në korrupsion madhor. Veprimet e tyre minuan sundimin e ligjit, institucionet demokratike, si dhe proceset publike në të dy vendet dhe gërryen besimin e publikut në qeveritë e tyre.
Në cilësinë e tij zyrtare si kryeministër, Gruevski ishte i përfshirë në akte korruptive që përfshinin përdorimin e ndikimit të tij politik dhe pushtetit zyrtar për përfitime personale. Në mënyrë specifike, ka informacion të besueshëm se Gruevski abuzoi pushtetin e postit të tij për të kërkuar dhe pranuar ryshfet në këmbim të kontratave qeveritare, përvetësoi fonde publike, dhe ndërhyri në procese zgjedhore për përfitime personale dhe përfitim politik të partisë së tij.
Në cilësinë e tij zyrtare si drejtor i UBK, Mijallkov u përfshi në akte korruptive që përfshinin përdorimin e ndikimit të tij politik dhe pushtetit zyrtar për përfitime personale. Në mënyrë specifike, ka informacion të besueshëm se Mijallkov abuzoi pushtetin e postit të tij për të kërkuar dhe pranuar ryshfet në këmbim të kontratave qeveritare dhe ndërhyri në procese zgjedhore për përfitime personale dhe përfitim politik të partisë së tij.
Në cilësinë e saj zyrtare si kryeprokurore e Bosnje-Hercegovinës, Gordana Tadić përdori ndikimin e saj për të ndërhyrë në procese gjyqësore. Në mënyrë specifike, ka informacion të besueshëm se Tadić manipuloi çështje për të mbrojtur klientë politikë nga ndjekja penale dhe dështoi në caktimin e çështjeve për prokurorët nëpërmjet një sistemi të automatizuar për shpërndarjen e çështjeve, i cili synonte të parandalonte vendimet për caktimin e prokurorëve mbi baza arsyesh personale apo politike.
Këto përcaktime kryhen sipas Seksionit 7031(c) të Departamentit të Shtetit, Akti i Buxhetit për Operacionet e Huaja, dhe Programet Përkatëse, 2022. Përpos Gruevskit, Mijallkovit and Tadićit, edhe Departamenti i Shtetit po përcakton anëtarët e familjeve të tyre sipas 7031(c). Ky veprim i bën Gruevskin, Mijallkovin, Tadićin dhe anëtarët e familjes së tyre të ngushtë të pakualifikuar për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.
Gjithashtu, Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) ka imponuar sanksione ekonomike në zbatim të Urdhrit Ekzekutiv (E.O.) 14033 ndaj shtatë individëve dhe një enti në katër vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor. Si rezultat i veprimeve të sotme në zbatim të E.O. 14033, të gjitha pronat dhe interesat në prona të atyre që janë sanksionuar që janë në Shtetet e Bashkuara ose vijnë brenda Shteteve të Bashkuara ose që janë në zotërim të personave të SHBA duhet të bllokohen dhe t’i raportohen OFAC-ut. https://home.treasury.gov/policy-issues/financial-sanctions/recent-actions/20220411
Të gjitha së bashku, këto përcaktime riafirmojnë përkushtimin e SHBA për të mbështetur sundimin e ligjit dhe për të forcuar institucionet demokratike të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje-Hercegovinës. Departamenti do të vazhdojë të përdorë autoritete të tilla për të promovuar llogaridhënie për aktorët e korruptuar në këtë rajon dhe në nivel global.
Për më shumë informacion, ju lutem kontaktoni INL-PAPD@state.gov.