Nënkryetari i Shteteve të Bashkuara

Vice President Mike PenceMichael R. Pence u lind në Columbus, Indiana, më 7 qershor, 1959, një prej gjashtë fëmijëve të Edward dhe Nancy Pence. Që në fëmijërinë e hershme, përjetoi nga afër Ëndrrën Amerikane. Pasi gjyshi i tij emigroi në Shtetet e Bashkuara kur ishte 17 vjeç, familja e tij u vendos në Midwest. Zv. Presidenti i ardhshëm pa sesi mamaja dhe babai i tij ndërtuan çdo gjë me vlerë – një familje, një biznes dhe një emër të mirë.

Duke qëndruar pranë mamasë dhe babait të tij, të cilën ngritën një biznes të suksesshëm me një dyqan artikujsh shtëpiakë në qytetin e tyre të vogël në Indiana, ai u rrit me besimin në rëndësinë e punës së palodhur, besimit dhe familjes. Në 1981, Zv. Presidenti nisi studimet në Kolegjin Hanover, ku u diplomua në histori. Gjatë qëndrimit aty, ai përforcoi besimin e tij të krishterë, i cili mbetet shtysa kryesore e jetës së tij. Më pas, ndoqi fakultetin juridik në Universitetin e Indianës, ku njohu dashurinë e jetës së tij, Zonjën e Dytë, Karen Pence.

Pas diplomimit, Zv. Presidenti Pence praktikoi avokatinë, udhëhoqi Fondacionin e Shqyrtimit të Politikave të Indianës, dhe nisi të drejtonte “Programi i Mike Pence”, një program radiofonik dhe një program javor televiziv i marrëdhënieve me publikun në Indiana. Gjatë kësaj kohe, ai u bë babai krenar i tre fëmijëve, Michael, Charlotte dhe Audrey.

Duke u rritur në Indiana, i rrethuar nga njerëz punëtorë dhe të mirë, Zv. Presidenti Pence e dinte gjithmonë se ai duhet t’ia shpërblente vendit dhe shtetit që i kishin dhënë atij aq shumë. Në vitin 2000, ai nisi një fushatë të suksesshme për postin vendor të kongresit, duke u bërë pjesë e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara në moshën 40 vjeçare.

Populli i Indianës Lindore e Qendrore e votoi Zv. Presidentin Pence gjashtë herë për t’i përfaqësuar ata në Kongres. Në Kongres, ai u bë i njohur si mbështetës i qeverisë së kufizuar, përgjegjësisë fiskale, zhvillimit ekonomik, mundësive për edukim, dhe Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Kolegët i pikasën menjëherë aftësitë e tij drejtuese dhe e zgjodhën njëzëri për të shërbyer si kryetar i Komitetit të Studimit Republikan të Dhomës së Përfaqësuesve dhe kryetar të Konferencës Republikane të Dhomës së Përfaqësuesve. Në këtë post, Zv. Presidenti ndihmoi për të zvogëluar qeverisjen dhe për ta bërë atë më të efektshme, për të ulur shpenzimet, dhe për t’u kthyer pushtetin qeverive vendore dhe të shteteve.

Në 2013, Zv. Presidenti Pence u largua nga kryeqyteti i vendit pasi banorët e Indianës e votuan si guvernatorin e 50-të shtetit. Ai solli në Qeverisjen e Indianës të njëjtën filozofi të qeverisjes së kufizuar dhe taksave të ulëta. Si guvernator, ai bëri të mundur uljen më të madhe në historinë e Indianës të tatimit mbi të ardhurat, duke ulur normat e tatimit mbi të ardhurat, të taksave të pronave të bizneseve personale, dhe taksave mbi të ardhurën korporative, me qëllimin forcimin e epërsisë konkuruese të shtetit dhe tërheqjen e investimeve të reja dhe vende pune të mirëpaguara. Si rrjedhojë e përqëndrimit të tij tek krijimi i vendeve të punës, niveli i papunësisë në shtet u përgjysmua gjatë katër viteve të qëndrimit të tij në detyrë, dhe në fund të mandatit, numri i qytetarëve të punësuar në Indiana ishte më i larti në historinë 200 vjeçare të këtij shteti.

Si guvernator i Indianës, Zv. Presidenti Pence shtoi fondet për shkollat, zgjeroi mundësitë e zgjedhjes së arsimit, si dhe krijoi të parin plan parashkollor të financuar nga shteti në historinë e Indianës. Ai e ktheu arsimin profesional dhe teknik në një përparësi për çdo shkollë të mesme. Nën udhëheqjen e Zv. Presidentin Pence, Indiana, e njohur si “Udhëkryqet e Amerikës,” investoi më shumë se 800 milionë dollarë për rrugë dhe ura përgjatë gjithë vendit. Pavarësisht uljes së taksave dhe investimeve të reja në rrugë dhe shkolla, shteti vazhdoi të ishte i përgjegjshëm në lidhje me ekonominë, duke qenë se Zv. Presidenti bashkëpunoi me anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të Indianës për të miratuar dy buxhete të balancuar drejt, të cilët i siguruan shtetit rezerva të bollshme dhe norma të shkëlqyera kreditesh (AAA), të lakmuara në të gjithë vendin.

Ishte historia e suksesit të Indianës, historia e eksperiencës legjislative dhe ekzekutive të Zv. Presidentit Pence, si dhe vlerat e tij të forta familjare, që e shtynë Presidentin Donald Trump në korrik të 2016-ës të zgjidhte Mike Pence si partnerin e tij në garën presidenciale. Populli amerikan zgjodhi Presidentin Donald Trump dhe Zv. Presidentin Mike Pence më 8 nëntor 2016. Presidenti Donald Trump dhe Zv. Presidenti Mike Pence morën detyrën më 20 janar 2017.

Zv. Presidenti Mike Pence mbetet mirënjohës për bekimin e Zotit, dashurinë dhe mbështetjen e familjes së tij, si dhe bekimet e lirisë që janë e drejta e çdo amerikani që në lindje. Ai pret me kënaqësi të punojë me popullin amerikan ndërsa përpiqen së bashku ta bëjnë Amerikën Sërish Madhështore.

Burimi: whitehouse.gov