Shtetet e Bashkuara kanë qenë mbështetës i fuqishëm i aspiratave të Maqedonisë së Veriut për të qenë një demokraci përparimtare, e sigurtë dhe inkluzive, e anëtarësuar në NATO, UE dhe në institucione tjera transatlantike.
Një pjesë e rendësishme është partneriteti i fuqishëm mes vendeve tona në fushën e sigurisë. Javën e kaluar për herë të parë ishim dëshmitarë të takimit në Londër ku Maqedonia e Veriut ishte e ulur në tavolinë së bashku me sekretarin general të NATO-s, dhe e rrethuar me aleatët e ardhshëm. Në fillim të vitit 2020 shpresojmë të ju dëshirojmë mirëseardhje edhe zyrtarisht si aleate e 30-të e NATO-s.
Tash është koha për të shikuar para, jo pas – e për të ngulitur fuqishëm Maqedoninë e Veriut në institucionet Euro-Atlantike, për t’i përforcuar institucionet e saj demokratike, dhe per të zhvilluar ekonominë për të mirën e të gjithë qytetarëve, e sidomos gjeneratave të reja.
Gjatë disa muajve të kaluar unë kam udhëtuar nëpër Maqedoninë e Veriut për të biseduar me studentë dhe për të dëgjuar mendimet e tyre. Rinia të cilën e kam takuar janë të përqëndruar në ndërtimin e një ardhmërie ku shqyrtohen brengat e tyre në lidhje me drejtësinë, mundësitë dhe transparencën.
Vlerat janë të rëndësishme. Demonstrimi i angazhimit për transparencë, llogaridhënie dhe luftë kundër korrupsionit janë detyra me rëndësi kritike për Maqedoninë e Veriut.
Debatet dinamike për korrupsionin sot janë të mundshme për shkak të përmirësimit të transparencës dhe llogaridhënies – që, për dallim nga e kaluara, mundëson që keqpërdorimet të mos futen thjeshtë ndër tepik. Kjo transparencë është pozitive për vendin. Nuk është gjithnjë bukur, por një transparencë më e madhe do të thotë që populli di më tepër për funksionimin e brendshëm të qeverisë dhe mund të kërkojë përmirësime.
Klima e lirisë së medias është përmirësuar shumë në krahasim me atë prej disa viteve më parë. Sot mediat munden lirshëm të raportojnë mbi qeverinë dhe të kërkojnë llogaridhënie, pa frikë nga ndëshkimi direkt apo indirekt. Komisioni shtetëror për antikorrupsion ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të luftuar në mënyrë proaktive korrupsionin e lartë në spektrin politik. Qeveria ka ndërmarr hapa për të përmirësuar menaxhimin transparent me financat publike, për shembull me vënien në përdorim të portalit Financa të Hapura të cilin mund ta përdorin të gjithë online për të ndjekur shpenzimet e shtetit.
Pavarësisht nga klima e përmirësuar, korrupsioni vazhdon të jetë çështje. Është arritur progres i madh dhe çmimi i korrupsionit është aq i lartë sa Maqedonia e Veriut nuk mund të lejojë rrënie. Pritja jonë kolektive, e juaja si qytetarë dhe e jona si partner ndërkombëtar, është se përparimi në luftën kundër korrupsionit dhe parandalimi i tij do të vazhdojë të jetë prioriteti kryesor i vendit.
Përse është korrupsioni aq i kushtueshëm dhe i dëmshëm? Një prej përgjigjeve është se nxit jostabilitet duke e minuar qeverisjen e mirë dhe duke mundësuar që elemente kriminele të marrin situatën nën kontroll. Korrupsioni rrënon besimin në institucione; nuk ka asnjë gjë më demoralizuese dhe më shfuqizuese për çdo qytetar se besimi që sistemi është i manipuluar dhe se rregullat e njejta nuk vlejnë për zyrtarët në pozitë. Kjo dekurajon investimin dhe i largon kompanitë që kërkojnë konkurrencë të drejtë.
Sipas një raporti të OKB-së në vitin 2018, shpenzimet vjetore të korrupsionit në nivel botëror arrijnë shumën tronditëse prej 3.6 trilion dollarë amerikanë. Në vit jepen një trilion dollarë në ryshfet, ndërsa 2.6 trilion tjera vidhen. Kjo është ekivalente me më tepër se pesë përqind të BPV-së globale të paguar në ryshfet apo të vjedhur përmes korrupsionit.
Lufta kundër korrupsionit është luftë që do të kërkojë vendosshmërine e të gjitha elementeve të shoqërisë: shoqërisë civile, mediave, sektorit privat, gjyqësorit, institucioneve qeverisëse, dhe sigurisht, të publikut.
Ekzistojnë disa shembuj praktik të masave që kuvendi dhe qeveria mund të ndërmarrin tani për të ndihmuar këtë luftë. Një ligj i ri për Zyrën e Prokurorit Publik është me rëndësi thelbësore për të demonstruar përkushtimin shtetëror ndaj luftës kundër korrupsionit, dhe ndërtimit të një institucioni më të fuqishëm prokurorial. Rastet e korrupsionit, të inicuara nga Zyra e Prokurorisë Speciale duhet të vazhdojnë në një mënyrë të besueshme.
Gjithashtu, është tejet me rëndësi që kuvendi, në mënyrë ligjore e transparente, të miratojë udhëheqës të kualifikuar e të aftë të institucioneve. Përfshirë këtu Entin shtetëror të revizionit, Komisionin për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informacione me karakter publik, si dhe anëtarë të këshillit në Agjensinë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele, në servisin publik shtetëror, dhe në Këshillin gjyqësor.
Këto institucione, vendimtare për mbikëqyrje të përgjegjësisë të qeverisë, janë lënë pa udhëheqës ose me udhëheqës me mandate të skaduara qysh prej kohësh. Ato patjetër duhet të aftësohen të bëjnë punën e tyre – për shembull, të monitorojnë se si partitë politike shpenzojnë fondet e marra nga shteti, të sigurojnë që mediat dhe partitë politike mbajnë llogari për reklamimet në mjetet elektronike dhe të transmetimit që finansohen nga shteti, dhe të sigurojnë garë të drejtë gjatë fushatës zgjedhore. Dhe përsëri, kuvendi duhet ndërmarrë masa tani e të tregojë përkushtim drejtë sistemeve të kontrollit.
Menjëherë pasi Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit të finalizojë strategjinë shtetërore kundër korrupsionit, kuvendi duhet të veprojë drejt miratimit të të njejtës, edhe atë para ciklit të ardhshëm të zgjedhjeve. Ҫdo vonesë do të ngrisë pyetje rreth përkushtimit të vendit ndaj integrimit Euro-Atlantik. S’do mend se miratimi i kohshëm i strategjisë do të jetë “win-win” për të gjithë shoqërinë.
Një Maqedoni e Veriut demokratike, përparimtare, me themele në vlerat e transparencës dhe llogaridhënies, paraqet partner të vërtetë për Shtetet e Bashkuara. Ne do të vazhdojmë të punojmë me popullin dhe institucionet e këtij vendi për të mirëmbajtur trendin përparimtar dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë.