Mbështetje për të ardhmen euroatlantike të Maqedonisë së Veriut

Nga: Derek Chollet, këshilltar, Departamenti Amerikan i Shtetit

Për më shumë se 30 vjet, Shtetet e Bashkuara dhe Maqedonia e Veriut kanë qenë partnerë të palëkundur.  Marrëdhënia jonë shtrihet përtej fjalëve të thjeshta të mbështetjes ose inkurajimit.  Ne kemi investuar në ju dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë për një arsye të thjeshtë: Duam që t’ia dilni mbanë.  Investojmë tek ju sepse forca, qëndrueshmëria dhe prosperiteti i vendit tuaj na bëjnë të gjithëve të jemi më mirë.  Dhe duam t’ju shohim të siguroni të ardhmen tuaj si një shtet i fuqishëm evropian për shkak të lidhjeve tona të qëndrueshme dhe interesave të përbashkëta.

Ky ishte mesazhi im kur vizitova Shkupin në fillim të këtij viti dhe përsëri muajin e kaluar kur mora pjesë në takimet e sekretarit të shtetit Blinken me kryeministrin Kovaçevski dhe ministrin e jashtëm Osmani në Uashington.  Pata rastin të dëgjoja nga afër për përpjekjet e qeverisë dhe qytetarëve tuaj për të përmbushur qëllimet e integrimit euroatlantik.  Ne mbështesim fuqimisht këto përpjekje.

Të dy vendet tona kanë shumë gjëra të përbashkëta.  Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Maqedonia e Veriut janë shoqëri të forta multietnike me përkushtim të thellë ndaj vlerave të përbashkëta, duke përfshirë dinjitetin njerëzor dhe prosperitetin për të gjithë qytetarët.  Si demokraci dinamike, ne zgjedhim përfaqësuesit tanë për të marrë vendime dhe për të bërë zgjedhje të vështira.  Edhe pse grindjet dhe pikët politike janë pjesë e procesit demokratik, zgjedhjet para jush nuk duhet të jenë në dëm të reformave thelbësore dhe sundimit të ligjit.  Në fund, kam besim se përfaqësuesit e popullit do të veprojnë në interesin më të mirë të vendit dhe do ta çojnë atë përpara.

Shtetet e Bashkuara janë krenare që qëndrojnë me Maqedoninë e Veriut, derisa ajo triumfon drejt qëllimeve  të përbashkëta. Maqedonia e Veriut ka qenë prej kohësh një partner i sigurisë së Shteteve të Bashkuara, por në pak vite tashmë e ka treguar veten si një aleat i fortë i NATO-s.  Udhëheqja e jashtëzakonshme e vendit që kryeson OSBE-në në këtë moment të rëndësishëm ka qenë jetike në përpjekjet tona për të kundërshtuar dezinformimin nga Rusia dhe për të mbështetur Ukrainën.  Së bashku, ne kemi bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit dhe sigurinë energjetike në rajon.  Ky është vetëm fillimi i një partneriteti të fortë që shtrihet përtej vendeve tona në drejtim të sigurisë rajonale dhe sfidave globale.

Arritjet dhe qëndrueshmëria e jashtëzakonshme e Maqedonisë së Veriut janë frymëzuese — dhe ato janë një trashëgimi për popullin e saj.  Ju keni arritur kaq shumë në tre dekadat që nga pavarësia, dhe këtë e keni bërë përkundër zhgënjimeve nga dyert e mbyllura që keni hasur njëpasnjë.  Me guxim dhe sakrificë, ju hapët derën për në NATO dhe ne qëndruam pranë jush kur u bëtë pjesë e saj.  Tani, është hapur edhe një derë tjetër.  Siç vuri në dukje ambasadorja Aggeler para pak kohë, në qendër të zgjedhjes suaj është populli juaj.  Ju jeni ata që duhet të bëni një tjetër hap përpara drejt Bashkimit Evropian dhe jini të sigurt se Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithmonë pranë jush.

###