President Pendarovski,
Ju faleminderit për pritjen e sotme të ngrohtë në VillënVodno. Është një nder i madh për mua t’ju dorëzoj letrën time kredenciale nga Presidenti Bajden. Jam krenare t’i përfaqësoj Presidentin dhe popullin amerikan si Ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Zotëri President, unë besoj që ju e dini se unë kam patur privilegjin e madh të shërbej edhe më parë në këtë vend të bukur, me kulturën, njerëzit, gjuhët dhe historinë e të cilit kam rënë në dashuri.
Nga koha kur unë shërbeva këtu, Maqedonia e Veriut u përball me sfida të mëdha dhe mori vendime të vështira, vendime që e çuan vendin përpara në rrugën e tij drejt integrimeve euroatlantike. Ky shtet e ndryshoi emrin për t’u bërë anëtari i 30-të i Aleancës së NATO-s, aleati ynë më i ri. Ai ka hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke forcuar pozicionin e tij si lider në ndërtimin e sigurisë dhe prosperitetit të Ballkanit Perëndimor. Kryesimi juaj i OSBE-së për vitin 2023 vërteton rolin e rëndësishëm që keni për të ardhmen e Evropës.
Edhe pse vendi do të përballet me sfida të vjetra dhe të reja, e ardhmja e tij është e ndritshme. Zotëri President, sot qëndroj këtu dhe premtoj se ju nuk do të jeni të vetmuar në ballafaqimin me këto sfida. Shtetet e Bashkuara, Ambasada e SHBA-së dhe unë, do të bëjmë çdo gjë që është në fuqinë tonë për ta ndihmuar popullin e Maqedonisë së Veriut t’ia dalë me sukses me përballjen dhe tejkalimin e të gjitha sfidave. Unë ju betohem se ne do të qëndrojmë krah për krahu me popullin e këtij vendi, përderisa ky shtet të arrijë synimet e tija për paqe, prosperitet, siguri dhe pavarësi për të gjithë qytetarët e vet.
Evropa po përballet me kërcënimin e saj më të madh ndër breza dhe si një aleate e besuar dhe aktive e NATO-s, Maqedonia e Veriut po kontribuon në sigurinë dhe stabilitetin e Evropës. Ne kemi punuar së bashku për më se 30 vjet për të siguruar vendin e merituar për Maqedoninë e Veriut në komunitetin më të madh evropian duke mbështetur shtyllat kyç të një demokracie plot prosperitet – sundim të ligjit; drejtësi pa përjashtime, zhvillim ekonomik dhe e drejtë e vetëdeklarimit; si dhe përkushtim në arritjen e këtyre qëllimeve në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe transparente.
Maqedonia e Veriut përballet me sfida që dobësojnë themelet e të gjitha këtyre shtyllave. Ndërsa vazhdoni të lëvizni para, Shtetet e Bashkuara do të jenë këtu si partner, aleat dhe mik, në një marrëdhënie që do të bëhet edhe më e fortë, më e thellë dhe më produktive.
Zotëri President, kam nderin që sot të paraqes letrën time kredenciale. Mezi po pres të filloj me punë dhe jam shumë mirënjohëse për mikpritjen e hirshme dhe mbështetjen tuaj për mua.
Ju faleminderit!