Mirëmbrëma dhe faleminderit që keni ardhur ta festojmë së bashku përvjetorin e 247-të të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për mua është nder i jashtëzakonshëm të përfaqësoj shtetin tim në shtetin tuaj – të shërbej si ambasadore amerikane në Maqedoninë e Veriut.
Kur etërit themelues të Shteteve të Bashkuara hartuan kushtetutën tonë, shkruanin për kërkimin e bashkimit më të përkryer. Jo si një qëllim, si një arritje përfundimtare – por si një kërkim i vazhdueshëm të asaj që ata, krijuesit e kombit, besoj e dinin se përfundimisht nuk ekzistonte.
Pasi, në realitet, një bashkim i përkryer nuk ekziston. Rëndësi ka kërkimi, përkushtimi këmbëngulës për të përmirësuar veten dhe për ta trajtuar demokracinë, jo si një gjendje statike, por si një punë të vështirë dhe të vazhdueshme. Ky kërkim vazhdon edhe sot, kur SHBA përballet me sfidat e vjetra dhe të reja.
Kështu është dhe puna me bashkimin tonë, miqësinë dhe partneritetin mes SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut. Ne asnjëherë nuk do të arrijmë bashkimin “e përkryer”, që është i pakapshëm. Megjithatë, parimet tona të përbashkëta, sfidat të cilave u bëjmë ballë – jo të vetëm, por së bashku, do ta çojnë para bashkimin tonë, në një kërkim të palodhur drejt progresit, prosperitetit dhe sigurisë.
Presidenti ynë i dytë dhe ati themelues, Xhon Adams, ka thënë: “Gjithmonë qëndroi besnik parimit, edhe nëse qëndron i vetëm”. Por dy shtetet tona asnjëherë nuk qëndrojnë vetëm. Si gjithmonë, parimet që i kemi do të na bashkojnë. Do t’i ndjekim këto ideale bashkë dhe do t’i festojmë fitoret tuaja, ashtu siç ju festoni pavarësinë tonë sonte.
Ndërkohë që reflektojmë mbi pavarësinë, me bindje të plotë them se demokracia nuk ndërtohet vet. Shtetet e pavarura nuk bëhen të suksesshme vetëm. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më të mira, më të forta dhe më fisnike për shkak se kemi aleatë. Kemi partnerë. Kemi miq – miq si ju, si shteti i Maqedonisë së Veriut.
Faleminderit edhe njëherë që merrni pjesë bashkë me ne në këtë mbrëmje – ju faleminderit për miqësinë, partneritetin dhe për bashkimin që kemi. Zoti e bekoftë Amerikën dhe Zoti e bekoftë Republikën e Maqedonisë së Veriut!
# # #