9 nëntor 2016
Mirëseerdhët të gjithë në mëngjesin tonë zgjedhor! Ju faleminderit që ndani me ne këtë ditë historike.
E dimë që çdo katër vjet, sytë e botës kthehen nga Shtetet e Bashkuara, derisa ne kalojmë nëpër procesin e zgjedhjes së presidentit tonë të ri. Gjatë muajit të fundit, kolegët e mi në Ambasadë dhe unë kemi udhëtuar nëpër Maqedoni për të folur për zgjedhjet tona; ka qenë mahnitëse të shihje nivelin e interesimit dhe angazhimin që njerëzit kanë rreth zgjedhjeve në SHBA. Na ka ndodhur që fëmijë të shkollës fillore të na lënë pa fjalë me pyetje të vështira, të shohim të rinj të rrahin mendime me pozicione të ndërlikuara të politikës së jashtme, dhe afaristë e gazetarë që pyeten se cili duhet të jetë roli i tyre në këtë proces.
E gjithë kjo është emocionuese dhe frymëzuese. Dhe me të drejtë! Çdo katër vjet, ne në Shtetet e Bashkuara kremtojmë diçka të veçantë – të drejtën për të zgjedhur liderin e vendit tonë. Kjo është një e drejtë që qëndron në themelin e vendit, dhe një e drejtë për të cilën njerëzit kanë luftuar dhe kanë dhënë jetën; dhe jo vetëm gjatë Revolucionit të parë. Në fakt, para 100 viteve, më shumë se gjysma e kolegëve të mi nga Ambasada nuk do kishin pasur të drejtë të votojnë.
Në gjithë zhurmën e fushatës, dhe të gjithë mund të pajtohemi se kjo fushatë ka gjeneruar zhurmë, gjëja më e rëndësishme që ndodh është veprimi i thjeshtë i qytetarit amerikan që shkon në vendvotim, jep votën e vet dhe bën që zëri i tij/saj të dëgjohet – në tërë territorin e Shteteve të Bashkuara, në 50 shtete, dhe në Distriktin e Kolumbisë, mbi 130 milionë votues të të gjitha etnive, feve dhe bekgraundeve ekonomike dolën dhe e bënë mu këtë.
Ne e marim votimin me seriozitet; zgjedhja e presidentit është çështje serioze. Dhe përsëri, sa i përket gjithë zhurmës rreth fushatës- kjo ishte fushatë që kishte të bëjë me çështje që prekin jetët e qytetarëve si ekonomia, imigracioni, terrorizmi, sigurimi shëndetsor, angazhimi i SHBA në botë…
Sot votuesit poashtu do të zgjedhin 435 përfaqësues të Kongresit, 34 senatorë dhe shumë zyrtarë lokal- prej votimit për guvernatorë, deri te votimi për anëtarë të bordeve arsimore, gjykatës e nëpunës në bashkësitë lokale. Ata do të merren me çështje siç janë paga minimale, taksa të reja për të mbështetur infrastrukturën apo ndryshimin e kushtetutës shtetërore.
Në fakt, mund t’i shihni disa nga këto çështje në shembujt e fletvotimeve që kemi paraqitur në këtë sallë. Të gjithë kemi lexuar komente që thonë se kjo paska qenë fushata më e shëmtuar e më e kontestuar deri më tani, mirëpo unë nuk jam i sigurtë se është ashtu në të vërtetë. Në Shtetet e Bashkuara kemi histori të gjatë të fushatave të rrëmujshme e të polarizuara. Për shembull, në zgjedhjet e vitit 1800, ku garronin John Adams dhe Thomas Jefferson- dy njerëz statujat e mermerit të të cilëve i shohim nëpër Washington si themelues të republikës- Jefferson kishte thënë që Partia Federaliste e Adamsit ishte “një mbretërim shtrigash… që kishte qëllim minimin dhe prishjen e republikës”. Federalistët, nga ana tjetër, argumentonin që vendi duhej shpëtuar
nga “shkatërrimi i pakthyeshëm” nga “kthetrat e Jefferson-it”.
Çka është ndryshe sot? Një gjë është sasia e informatave dhe e të dhënave në dispozicion është shumë më e madhe se kurdo më herët. Kjo është një gjë e mirë! Sot, është më e lehtë se kurdo të jesh një votues i informuar. Në google mund të gjesh deri në detaje platformat e secilit prej kandidatëve, të dëgjosh fjalimet e tyre në YouTube, dhe t’i ndjekish në Facebook e Twitter, e të dëgjosh drejtpërdrejtë mendimet e tyre. Gjithashtu, ekzistojnë shumë ueb faqe për kontroll të fakteve, ku mund jo vetëm të kontrolloni vërtetësinë e deklaratave të kandidatëve, por edhe si mediat raportojnë. Këtu ka edhe një dizavantazh. Siç kemi parë, ka edhe shumë dezinformata, ndonjëherë të qëllimshme, që mund të përhapen si flakë e tërbuar nëpër rrjetet e mediat sociale, pra është me rëndësi të jemi të kujdesshëm.
Dita e zgjedhjeve në SHBA është ditë kremtimi. Prindërit marrin fëmijët e tyre në vendvotime. Fqinjët punojnë vullnetarisht në vendvotime. Në zyrë, në kafeterinë lokale, në pompën e benzinës, gjithandej mund të shihni njerëz duke mbajtur kopsat “Unë votova.” Ka qenë mahnitëse këtë vit të shohësh se si kopsa “Unë votova” kaploi rrjetet sociale. Unë me kënaqësi postova kopsën “Unë votova nga Maqedonia”.
Atëherë, gjëja më e rëndësishme është të gjesh kohë dhe energji të jesh votues i informuar. Në epokën e mediave sociale dhe kanaleve që raportojnë lajme 24 orë në ditë, asnjëherë nuk ka qenë më e lehtë që të rrethojmë veten vetëm me zërat që mbështesin mendimet dhe besimet tona. Për të mbajtur demokracinë gjallë dhe të shëndetshme, është me rëndësi që të pranojmë se jo gjithmonë biem dakord me të tjerët, si dhe të lexojmë media kritike që janë në kundërshtim me pikëpamjet tona – pa marrë parasysh se për cilën anë bëhet fjalë.
Ndonjëherë humbemi aq shumë në shpifjet ditore dhe dramën televizive rreth zgjedhjeve sa harrojmë sa e drejtë e mrekullueshme është vota– të kesh të drejtë të vendosish cila do të jetë qeveria yte dhe në çfarë drejtimi do të lëviz vendi ynë. Sigurisht që me këtë të drejtë vjen edhe një përgjegjësi e madhe. Të gjithë kemi përgjegjësi të tejkalojmë zhurmën dhe të vlerësojmë cili prej kandidatëve ka vizionin më të mirë për të ardhmen, dhe të lëvizim para.
Një e ardhme e mirë ka pak a shumë të njëjtin kuptim për shumicën prej nesh – ngjashëm si për popullin e Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe për popullin e Maqedonisë, të rinj e të vjetër, liberalë e konzervativë. Të gjithë duam që familjet tona të jenë të sigurta dhe të përparojnë. Duam që fëmijët tanë të kenë shkollim të mirë dhe të rriten e të kenë mundësi që të marrin rrugën e tyre. Duam një botë me paqe dhe prosperitet, ku do të punojmë me vendet tjera për t’u ballafaquar me sfidat globale. Natyrisht, jo gjithmonë do të dakordohemi rreth mënyrës si të arrijmë atje, por të gjithë pajtohemi që qëllimet janë të njëjta.
Kjo është arsyeja përse periudha pas zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara zakonisht është kohë kur të gjithë bashkohemi, kohë kur – siç ka thënë Steven Douglas në 1860-“ ndjenjat partiake duhet të shkrihen në patriotizëm.” Fushatat kanë të bëjnë me potencimin e dallimeve, ndërsa tani sfida është të përqëndrohemi në bashkim të sërishëm, formim të administratës të re në Kongres dhe të shikojmë para. Sot fushata gati se ka përfunduar dhe pas këtij mëngjesi, ekipi im dhe unë do të kthehemi në Ambasadë të vazhdojmë të punojmë në avansimin e marrëdhënieve dhe lidhjeve mes Shteteve të
Bashkuara dhe Maqedonisë.
Siç thashë në deklaratat për disa media sot, në karrierën time 31- vjeçare, kam shërbyer 15 vite në administrata republikane dhe 16 vite në administrata të udhëhequra nga demokratët. Mund t’ju siguroj që sfidat me të cilat ballafaqohemi në botë, nuk kanë përkatësi partiake. Ato sfida nuk ndryshojnë mes 8 nëntorit dhe 9 nëntorit. Në të njejtën mënyrë, partneritetet dhe interesat tona të qëndrueshme nuk do të ndryshojnë. Shtetet e
Bashkuara ka qenë partner i Maqedonisë për afër 25 vite – gjatë katër administratave të ndryshme në SHBA – dhe përkushtimi ynë ndaj suksesit të Maqedonisë nuk është shuar, dhe nuk do të shuhet.
Në fund, duke parë se sot këtu janë prezent shumë qytetarë që janë të involvuar në politikë, dua të them se i përshëndes të gjithë që janë kandidatë zgjedhor, që kanë mar guximin të kandidohen. Sigurisht që nuk është e lehtë. Poashtu i përshëndes vullnetarët e aktivistët, të cilët i kanë mbështetur muaj me rradhë, dhe i përshëndes bashkëqytetarët e mij që votuan. Kjo është pikërisht si funksionon vetëqeverisja.
Ju faleminderit që ishit me ne këtë mëngjes. Mendoj se do të vijojnë rezultate dhe lajmërime. Është frymëzuese të ju shoh këtu derisa kremtojmë këtë ditë të madhe- ditën e zgjedhjeve në SHBA. Ju faleminderit të gjithëve.