Fjala e rastit të ambasadores Kejt Bërns në ceremoninë e prezantimit të letrave kredenciale

Ceremonia e prezantimit të letrave kredenciale të ambasadores Kejt Bërns
Fjala e rastit
12 korrik 2019, 11:00
Villa Vodno

 President Pendarovski, jam e nderuar të njihem me ju dhe të paraqes letrat kredenciale.  Ju faleminderit për organizimin e kësaj ceremonie.  Kam nderin të përfaqësoj presidentin Tramp dhe popullin amerikan si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ndjej kënaqësi të veçantë që mandatin tim e filloj në një kohë shumë të rëndësishme për marrëdhëniet mes vendeve tona.  Me padurim presim që deri në fund të vitit t’i dëshirojmë Maqedonisë së Veriut mirëseardhje si anëtare e 30-të e aleancës së NATO-s.  Si aleatë, marrëdhënia jonë do të bëhet më e fuqishme, e lidhur nëpërmjet përkushtimit të përbashkët për paqe, siguri dhe prosperitet në rajon dhe më gjërë.

Derisa jemi në pritje të këtyre zhvillimeve, ne qëndrojmë mbi themele të forta dhe kemi traditë partneriteti.  Më shumë se 25 vite kemi punuar së bashku dhe kemi arritur shumë në avancimin e qëllimeve të përbashkëta – të shohim Maqedoninë e Veriut plotësisht të integruar në institucionet perëndimore dhe të përkushtuar ndaj vlerave të përbashkëta – demokracinë, lirinë individuale dhe sundimin e ligjit.

Dy vendet tona janë më të fuqishme për shkak të bashkëpunimit që kemi.  Ushtarët tanë shërbejnë krah për krah në fushëbetejë, ashtu si edhe liderët tanë që punojnë krah për krah për të shpier përpara qëllimet tona për një Maqedoni të Veriut dhe Evropë të sigurtë dhe përparimtare.  Liderët tanë afaristë punojnë së bashku për të krijuar vende pune dhe për të zhvilluar ekonomitë tona.  Profesorët dhe studentët tanë bashkëpunojnë në hulumtime të reja, dhe artistët tanë shkëmbejnë ide dhe frymëzime.

Jam e gëzuar që do të punoj me ju dhe qeverinë e popullin e Maqedonisë së Veriut në përforcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona si aleatë.  Do të angazhohem në avancimin e stabilitetit përmes institucioneve të fuqishme, dhe mbështetjen e përpjekjeve të qeverisë suaj në luftën kundër korrupsionit dhe përforcimit të sundimit të ligjit, promovimin e prosperitetit nëpërmjet ndihmës dhe partneritetit në sektorin privat, dhe përforcimin e sigurisë përmes partneritetit në lëminë e mbrojtjes.

Me padurim pres që personalisht të përjetoj bukuritë dhe shumëllojshmërinë e Maqedonisë së Veriut, dhe të mësoj më tepër për kulturën, traditat, dhe historinë e pasur të vendit tuaj.  Me gëzim pres mundësinë që të ndaj kulturën e Shteteve të Bashkuara dhe të ndërtoj ura mes qytetarëve të të dy vendeve.

Kam kënaqësinë t’ua prezantoj letrat e mia kredenciale dhe personalisht t’ju siguroj që do të punoj vazhdimisht në ndërtimin e marrëdhënieve të fuqishme mes vendeve tona, dhe të bëj realitet vizionin tonë të përbashkët për ardhmërinë e vendit.  Ju faleminderit.