Përveç lëndëve akademike të rregullta gjatë studimit, institucionet për arsim të lartë në SHBA gjithashtu ofrojnë programe të orientuara drejt praktikës për trajnim të avansuar profesional. Programet e tilla zakonisht mund të hasen në “kolegjet publike” dy-vjeçare. Përveç çertifikatave dhe diplomave, pas dy vitesh studimi një student mund të fitojë “diplomë të shkallës së parë.”
Titulli i zakonshëm akademik që studentët fitojnë pas përfundimit të studimeve në Amerikë është “I diplomuar” (Bachelor of Arts – BA; Bachelor of Science – BS). Ky titull fitohet pas përfundimit të studimeve katër-vjeçare. Gjatë dy viteve të para të studimeve, studentët amerikanë ndjekin një sërë kursesh obligative për lëndë të përgjithshme. Pas dy viteve të para, studentët amerikanë zgjedhin një (apo dy) lëndë kryesore dhe në pjesën tjetër të studimeve ndjekin ligjerata për këto disiplina akademike (edhe pse kurset nuk limitohen vetëm në dy lëndë).
Personat që zgjedhin të vazhdojnë më tej shkollimin e tyre mund të marrin titullin Magjistër, gjegjësisht pas një apo dy vitesh studimesh shtesë. Këto diploma të ashtuquajtura “Master” ofrohen vetëm në universitete, jo edhe në kolegje. Gjithashtu, vetëm universitetet ofrojnë diploma profesionale, si për shembull Juris Doctor (për drejtësi), Doktor për medicinë (për mjekësi), dhe diplomën e njohur Master për administratë biznesi, apo MBA. Zakonisht për kompletimin e këtyre studimeve profesionale janë të nevojshme dy deri në katër vite.
Studimet për doktoraturë (Doktor filozofie, Ph.D.) në Shtetet e Bashkuara zgjasin prej katër deri në gjashtë vite. Faza e parë e studimeve për doktoraturë zakonisht zgjat dy vite dhe përfundon me një sërë provimesh ku kandidati testohet për të gjithë lëndët që janë ndjekur deri në atë fazë. Këto provime njihen si “testim preliminar” apo si “testim për kualifikim”. Pas përfundimit të suksesshëm të këtyre provimeve, studenti mund të fillojë hulumtimin për disertacionin e doktoraturës.
Studimet e vazhdueshme që rezultojnë me titujt magjistër, doktor apo me diplomë profesionale njihen me emrin “studime pasuniversitare”.