28 korrik 2017, Kumanovë
Ju faleminderit kryetar Damjanovski. Është kënaqësi të jem sot këtu në Kumanovë me ju, ministren e mbrojtjes Shekerinska dhe gjeneral Mileskin për t’i dëshiruar mirëseardhje nënkolonelit Himes dhe Skuadrës së inxhinierëve nga Regjimenti i 2-të i Kalorësisë së Armatës së SHBA për Evropë, dhe të shënojmë fillimin e ushtrimit Dragoon Guardian.
Gjatë dhjetë ditëve në vijim, ushtarët e dy vendeve tona do të punojnë së bashku për të përmirësuar gatishmërinë e tyre. Ata bashkarisht do të kryejnë disa detyra komplekse inxhinierike e medicinale që do të sigurojnë aftësinë e tyre për të tejkaluar çdo sfidë të mundshme.
Nuk është e rastësishme që fillimin e këtij ushtrimi po e shënojmë në Kumanovë – qytet i cili historikisht ka shërbyer si udhëkryq mes Maqedonisë dhe fqinjëve të saj, duke lidhur rrugët e tregëtisë dhe të transportit mes lindjes dhe perëndimit me veriun dhe jugun. Ushtrimet si Dragoon Guardian luajnë rol të ngjashëm, lidhin ushtarë, shtete dhe rajone në kërkim të qëllimeve tona të përbashkëta.
Së pari, ushtrimet e përbashkëta si ky krijojnë lidhje mes ushtarëve tonë. Derisa punojnë së bashku, ushtarët tonë krijojnë lidhje personale mes tyre. Këto lidhje afrojnë dy shtetet tona, por gjithashtu sigurojnë që dy ushtritë tona mund të komunikojnë dhe të veprojnë së bashku.
Ne jemi krenar që këtë vit rreth 600 ushtarë nga Maqedonia do të marrin pjesë në ushtrimet shumëkombëshe, të sponsoruara nga SHBA, që do të zhvillohen nëpër tërë Evropën. Siç panë ushtarët tonë gjatë ushtrimit Saber Guardian muajin e kaluar, ushtarët e Maqedonisë janë të shkathët, të përkushtuar dhe të mençur, puna me ta na bën të gjithëve më të fuqishëm.
Derisa ndërtojmë lidhje përmes ushtrimeve, të njejtat i testojmë në fushëbetejë. Që nga viti 2002 ushtarë nga Maqedonia kanë luftuar krah-më-krah me Amerikanët në Afganistan dhe Irak. E di që Ushtria e SHBA ka respekt të lartë për kolegët nga Maqedonia. Trimërinë dhe përkushtimin e tyre e pamë në vitin 2011, kur iu bashkangjitën forcave amerikane për të mbrojtur Ambasadën e SHBA në Kabull.
Ushtrimet e përbashkëta gjithashtu afrojnë dy shtetet tona.
Gjatë javës së ardhshme, ushtarët e SHBA-së dhe të Maqedonisë do të udhëtojnë në qytete të ndryshme në Maqedoni për të demonstruar se si punojnë së bashku për të përforcuar sigurinë tonë. Shpresoj që banorët nëpër tërë vendin do të mësojnë më tepër për përpjekjet e tyre. Mendoj se nuk ka përfaqësues më të denjë të SHBA se këta “Dragoons” (kalorës). Ata do të sjellin me vete automjete interesante, si këto që po i shihni sot këtu!
Në fund, ushtrimet e përbashkëta sjellin Maqedoninë më afër NATO-s. Është me rëndësi të theksoj që anëtarësia në NATO nuk është diçka për të cilën vetëm flasim. Përmes ushtrimeve e trajnimeve bilaterale dhe ngjarjeve dhe operacioneve të mbështetura nga NATO, ne ndihmojmë Maqedoninë në përgatitjet për anëtarësim të plotë në NATO.
Në këtë drejtim, është e udhës që sot këtu mirëpresim Regjimentin e Dytë të Kalorisë, një regjiment historik që ka luftuar në pothuajse të gjitha angazhimet e mëdha të Ushtrisë së SHBA që nga fillimi i shekullit 19. Motoja e tyre është “Tojours pret”- gjithmonë të gatshëm. Kur Shtetet e Bashkuara hyrën në Luftën e Parë Botërore, Dragoons shoqëruan gjeneralin Pershin, duke u bërë ushtarët a parë që zbarkuan në Francë para 100 vite muajin e kaluar. Regjimenti tani është pjesë e Iniciativës për siguri evropiane, që punon në tranformimin e Ushtrisë së SHBA për Evropë në një forcë më të lehtë, më të shkathët që bashkëpunon ngushtë më aleatët dhe partnerët e NATO-s…
Javën e ardhshme, zëvendës presidenti Pence do të udhëtojë në Mal të Zi për të takuar liderët a Samitit të Kartës së Adriatikut. Muajin e kaluar ai deklaroi: “Dyert e hapura të NATO-s duhet patjetër të mbesin gjithmonë të atilla për ato kombe që ndajnë të njëjtat vlera me tonat, dëshirojnë të kontribuojnë për aleancën më të suksesshme në histori, dhe të kërkojnë ardhmëri më të ndritshme në aspektin a sigurisë dhe të prosperitetit për kombet tona dhe për mbarë botën.” Shtetet e Bashkuara punojnë për të parë Maqedoninë si pjesë të NATO-s, pavarësisht a është ajo përmes mbështetjes së reformave për përforcim të demokracisë apo përmes ushtrimeve si Dragoon Guardian.
Ju faleminderit të gjithëve që ndihmuan në organizimin e ushtrimit Dragoon Guardian dhe nënkolonelit Himes. Shpresoj të ju vizitoj javën e ardhshme në Krivollak.