Ceremonia e përcjelljes të pjesëtarëve të ARM në ushtrimin Saber Guardian 2017

Fjalim i ambasadorit Jess Baily në ceremoninë e përcjelljes të ARM-së në Saber Guardian

6 korrik 2017
Kazerma Ilinden, Shkup

Ju faleminderit ministër Shekerinska, zëvendës i ShShP të ARM-së Racaj.  Kam nderin të jem këtu sot për të njohur partneritetin afatgjatë mes Shteteve të Bashkuara dhe Republikës të Maqedonisë.

Sot përcjellim 54 ushtarë të Policisë ushtarake dhe Forcave speciale të Armatës të Republikës së Maqedonisë për të marë pjesë në Saber Guardian- ushtrim i finansuar nga Armata e SHBA e që përfshin më tepër se 25,000 ushtarë nga 22 vende aleate e partnere të NATO-s. Më vonë do të u bashkangjiten edhe 16 inxhinierë dhe anëtarë të stafit mjekësor.

Ne shpesh flasim për vlerën e partneriteteve tona ushtarake, për rëndësinë e NATO-s.  Ushtrimi Saber Guardian është partneritet në vepër, është diçka që krijon sigurinë tonë kolektive.  Nëpërmjet ushtrimeve siç është Saber Guardian, Shtetet e Bashkuara përforcojnë lidhjet me aleatet dhe partnerët e NATOs dhe riafirmojnë angazhimin e vazhdueshëm për mbrojtjen kolektive dhe prosperitetin e Evropës.  Ushtrimet e përbashkëta avancojnë aftësinë e shteteve për të bashkëpunuar, për të komunikuar, dhe për t’u integruar nëpërmjet platformave ushtarake; dhe çka është më me rëndësi, ato ndërtojnë lidhje personale mes ushtarëve dhe përforcojnë përkushtimin tonë ndaj njëri tjetrit.

Vetëm në 2016 dhe 2017, afër 600 ushtarë nga Maqedonia  kanë marë pjesë në mbi 20 ushtrime multinacionale të financuara nga SHBA nëpër Evropë dhe këtu në Maqedoni.

Jemi veçanërisht të kënaqur që këtë vit, pas Saber Guardian, SHBA dhe Maqedonia do të kenë ushtrim të përbashkët që quhet Dragoon Guardian këtu në Maqedoni.  Afër 300 ushtarë dhe 100 automjete të regjimentit të dytë të kalorësisë dhe inxhinierisë nga Armata e SHBA në Evropë, së bashku me tetë inxhinierë nga Armata e Maqedonisë, do të udhëtojnë nga Rumunia në Maqedoni për trajnim dyjavor për ushtarët e SHBA dhe Maqedonisë.

I falënderojmë ministrinë e mbrojtjes dhe Armatën e Republikës të Maqedonisë që janë nikoqirë të forcave amerikane në Krivollak dhe që ndihmojnë të realizohet ky trajnim i cili po planifikohet më tepër se një vit.

Poashtu dëshiroj të falënderoj qeverinë, ministrinë dhe armatën për angazhimin e vazhdueshëm në misionet ndërkombëtare, veçanërisht në Afganistan.  Ushtarët tonë kanë shërbyer atje krah për krah për 15 vite.  Aktualisht 29 ushtarë të Maqedonisë shërbejnë në misionin e NATOs Resolute Support, ku mbështesin trajnimin e Forcave Kombëtare Afgane të Sigurisë.

Atje dhe në vende tjera, Armata e Republikës të Maqedonisë ka reputacion shumë të mirë dhe ne krenohemi për bashkëpunimin e ngushtë që kanë ushtritë tona, duke përfshirë partneritetin e fuqishëm me Gardën nacionale të Vermontit.  Ne do të vazhdojmë të identifikojmë mundësi të reja për trajnim të përbashkët këtu në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara, duke përforcuar në ndërkohë bashkëpunimin tonë dhe duke mbështetur Maqedoninë në rrugën drejt antarësimit në NATO.

Për ju që tani niseni për Saber Guardian, ju dëshiroj çdo të mirë gjatë këtij ushtrimi dinamik dhe sfidues dhe pres kthimin së bashku me ushtarët tanë amerikan në fund të muajit për ushtrimin Dragoon Guardian.

Ju faleminderit