29 qershor 2017
Mirëmbrëma!
Kryeministër Zaev, kryetar i kuvendit Xhaferi, ministra, deputetë, kolegë të korit diplomatik, zonja dhe zotërinj.
Unë dhe Capie kemi nderin të ju mirëpresim në ambasadën e SHBA sonte, në kremtimin e përvjetorit të 241 të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Falënderime të posaçme për të gjitha kompanitë që e mbështetën këtë eveniment- emrat e të gjithë sponsorëve tanë mund t’i shihni në ekranin pas skenës. E vlerësojmë mbështetjen tuaj gjatë gjithë këtyre viteve. T’i përshëndesim me një duartrokitje në shenjë falënderimi për zemërgjerësinë.
Falënderime edhe për Leana Taki dhe Kanita Suma për interpretimin e bukur të himneve kombëtare, si dhe për Lea and the Hounds të cilët kujdesen për disponimin tonë sonte.
Poashtu, dua të shpreh mirënjohje edhe për kolegët e mi këtu në ambasadë, të cilët punojnë në këtë eveniment që nga fillimi i vitit. Me të vërtetë dijnë si të përgatisin një aheng!
Në rast se pyeteni për urat që i shihni sonte në oborrin e ambasadës dhe nëpër fotografi. Që në kohërat e lashta njeriu ka ndërtuar ura- për të bashkuar brigje, lëndina, terene të vështira. Ato luajnë rol të rëndësishëm në historinë e Maqedonisë dhe rajonit të Ballkanit, si edhe në vendin tim.
Siç shkroi Ivo Andriç:
“Nga të gjitha gjërat që njeriu ngrit dhe ndërton… për mendimin tim asgjë nuk vlen më tepër se urat. Ato u takojnë të gjithëve dhe janë të njejta pët të gjithë, të dobishme, gjithmonë të ndërtuara me kuptim, atje ku kryqëzohen nevojat njerëzore. Ato janë më të qëndrueshme se ndërtimet tjera dhe nuk shërbejnë për diçka të fshehtë apo qëllimkeqe”.
Ura është metaforë e fuqishme e lidhjes dhe përparimit. Të “ndërtohen ura” do të thotë të bashkohen njerëzit, të tejkalohen dallimet, dhe të ecet para. Unë shoh Ambasadën e SHBA si një urë të tillë metaforike ngase punojmë me Maqedoninë dhe qytetarët e saj duke u bazuar gjithnjë në vlerat tona të përbashkëta për të ecur drejt qëllimeve të përbashkëta.
Tema e urave më goditi vjeshtën e kaluar gjatë vizitës në qytetin tim të lindjes Sinsinati, Ohajo. Ashtu si në Shkup, edhe atje një urë qëndron në zemër të qytetit dhe formon identitetin e tij. Kjo urë, ura Roebling, është mbi lumin Ohajo, duke lidhur shtetet Ohajo dhe Kentaki. Kur u hap 150 vite më parë, ishte ura më e gjatë në botë, titull të cilin e mbajti deri kur z. Roebling përfundoi urën e Brooklyn-it në Nju Jork 20 vite më vonë.
Ura Roebling nuk ishte thjeshtë arritje e inxhinierisë; ajo ndihmoi në ribashkimin e vendit, i cili ishte i ndarë nga lufta. Shpërthimi i Luftës civile ndërpreu ndërtimin e saj. Lumi Ohajo shënonte kufirin mes Veriut dhe Jugut, mes Ohajos dhe Kentakit, mes shtetit të lirë dhe atij të robëruar. Kur përfundoi lufta në vitin 1865, ndërtimi rifilloi me zell. Përfundimi i saj dy vite më vonë ribashkoi qytetin, dy shtetet dhe një komb.
Sot ura mbetet simbol i zhvillimit ekonomik dhe lidhjes mes njerëzve. Para tre javësh, duke qëndruar pranë kësaj ure, presidenti Trump sfidoi amerikanët që të “rimarrin trashëgiminë tonë si komb ndërtuesish dhe të krijojnë rrugë të reja udhëtimi, tregtimi dhe zbulimi.”
Tema gjithashtu duket e përshtatshme për këtë moment në Maqedoni. Është koha për të ndërtuar unitet me partive dhe komuniteteve për të arritur një qëllim të përbashkët – një Maqedoni të sigurt, prosperuese dhe demokratike që lëviz drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.
Kjo do të thotë të vendosen lidhje me fqinjët tuaj, të tejkalohen dallimet dhe të përforcohet bashkëpunimi rajonal – ndonjëherë në kuptimin e plotë të fjalës duke ndërtuar vërtet ura dhe infrastrukturë tjetër.
Ndërtimi i një ure, ngjashëm si ndërtimi i strukturave tjera të ndërtuara nga njerëzit, nuk është punë që kërkon angazhim vetëm një herë të vetme. Ne nuk mund thjeshtë të ndërtojmë një urë, të investojmë vite planifikimi, mund e resurse dhe pasi të përfundojmë, ta lëmë në duart e fatit duke shpresuar për më të mirën.
Ura ka nevojë për kujdes dhe mirëmbajtje të vazhdueshme. Për shembull, ura Roebling ëshrë riparuar në mënyrë thelbësore katër herë vetëm gjatë jetës sime.
Urat simbolike qe ndërtojmë mes kombeve tona përmes bashkëpunimit dhe shkëmbimit gjithashtu kërkojnë kujdes dhe mirëmbajtje të vazhdueshme. Nga të gjithë ne. Kjo është pikërisht ajo që na bashkon sonte.
Duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku për të përforcuar lidhjet mes vendeve tona – pavarësisht nëse e bëjmë përmes zgjërimit të biznesit dhe investimeve, përmes trajnimeve të përbashkëta ushtarake si ushtrimi Saber Guardian që do të ndodh në muajin e ardhshëm, apo përmes shkëmbimit mes studentëve dhe qytetarëve tonë.
Më 4 korrik 1776, Shtetet e Bashkuara shkëputën lidhjet me kurorën britanike, duke shpallur pavarësi e duke hyrë në 241 vitet e demokracisë përfaqësuese. Sot, Mbretëria e Bashkuar është një nga aleatët tonë më të afërt.
Kemi kaluar shumë nga 200 vitet e kaluara në rindërtimin e lidhjeve tona, urave tona me Mbretërinë e Bashkuar dhe aleatët tonë evropianë. Edhe pse na ndan një oqean, urat e vlerave dhe qëllimeve të përbashkëta për paqe dhe prosperitet global na bashkojnë.
Edhe përmes partneritetit këtu punojmë bashkë për të ndërtuar një të ardhme më të fortë për Maqedoninë ku qytetarët do të gëzojnë të gjitha beneficionet e demokracisë dhe anëtarësimit në komunitetin Euro-Atlantik.
Në vitin 1777, derisa lufta jonë për pavarësi akoma po vazhdonte, qyteti i Filladellfias shënoi i pari Ditën e Pavarësisë duke pezulluar Kongresin dhe duke festuar ditën me fishekzjarre. Ne e kemi ruajtur këtë traditë festive dhe kam kënaqësinë ta ndaj atë me ju këtë mbrëmje. Fishekzjarret do të fillojnë sapo të terrohet.
Dëshiroj t’ju inkurajoj të bëni gjiro dhe të shihni nga afër gjërat që kemi vendosur në këtë hapsirë, ku janë paraqitur disa nga urat më inspiruese dhe më të bukura nga i gjithë territori i Shteteve të Bashkuara.
Shfrytëzoni mundësinë të kaloni një urë – për të vendosur një lidhje të re apo për të ripërtrirë një të vjetër.
Ju falemnderit që na u bashkangjitët këtë mbrëmje dhe uroj të argëtoheni në fishekzjarret dhe muzikën.